Lidhje

Prodhimet e firmës Apple në Kinë dhe kushtet e punës

  • Ivan Broadhead

Analistët shtrojnë pikëpyetje mbi standartet e përmirësuara në fabrikat e firmës Apple në Kinë

Një kontroll i fundit tregon se kushtet e punës në fabrikat kineze që prodhojnë pajisje elektronike të kompanisë Apple janë përmirësuar. Por kritikët thonë se më shumë punë është e nevojshme për të përmbushur standardet e përcaktuara nga ligjet kineze.

Shoqata e Punës përgëzoi kompaninë Apple dhe kontraktorin e saj kryesor prodhues, Foxconn, për përmirësimin e sigurisë në fabrika dhe për të pakësuar orët maksimale të punës në tre fabrikat që punësojnë mbi 150 mijë njerëz në Kinë.

Apple ishte firma e parë elektronike që ju bashkua shoqatës së punës pasi imazhi i kompanisë u dëmtua nga një valë vetëvrasjesh të punëtorëve në fabrikat e Foxconn-it duke filluar në vitin 2010, dhe një shpërthim fatal vitin e kaluar.

Anita Chan në Qendrën për Ndryshime Sociale dhe Kulturore të Investimeve në Kinë, pranë Universitetit të Teknologjisë në Sidnei, e pranon përparimin e bërë. Megjithatë ajo hedh dyshime mbi besueshmërinë e raportit, duke qënë se Shoqata e Punës financohet nga anëtarët e saj, përfshi kompaninë Apple.

“Kontrolli bëhet në baza vullnetare dhe mund të quhet i dështuar. Në vitin 2007 u ngrit një sindikatë tregëtare brenda firmës Foxconn, por vetvrasjet janë fakte që provuan se gjërat nuk ndryshuan. Media i kushtoi vëmendje disa shkeljeve që ndodhën gjatë dy muajve dhe pastaj gjërat u kthyen përsëri siç kishin qënë më parë.”

Kontrolli kërkoi që Foxconn të bëjë 360 përmirësime në fabrikat e saj para korrikut të vitit 2013. Një pjesë e madhe janë zbatuar, përfshi ndryshimet për të parandaluar dëmtimet që vijnë nga lëvizje të përsëritura të gjymturëve gjatë punës si dhe për të reformuar programin e praktikantëve që studentët të mos punojnë me orar të zgjatur.

Earl Brown me Qendrën Amerikane për Solidaritetin është avokat me përvojë për ligjet e punës, i cili dëshmoi para komisonit të kongresit muajin e kaluar për Kinën. Ai ka shqetësime rreth metodologjisë së kontrollit dhe thotë se punonjësit duhet të ndjehen të sigurtë për të shprehur ndjenjat e tyre tek drejtuesit.

“Punëtorët janë një element shumë i rëndësishëm informues për të vlerësuar situatën. Kur ke kompani si Foxconni që i rreshton punëtorët dhe u jep nga një iPad duke u thënë t’u përgjigjen 50 pyetjeve nga një agjenci e jashtme kontrolli, punonjësit kanë frikë se përgjigjet që japin mund të zbulohen dhe në se janë përgjigje negative, mund të pushohen nga puna.”

Zoti Brown thotë se Kina ka bërë përparim të madh në politikat e punës, duke ja kaluar edhe Shteteve të Bashkuara në fusha si e drejta e lejes së shtatëzanisë. Por ndërsa rritja ekonomike po ngadalësohet në Kinë, të drejtat e punëtorëve mund të keqësohen, në vend që të përmirësohen, ndërsa punëdhënësit kërkojnë të realizojnë fitime.

Shqetësimi i Pekinit se pakënaqësia e punëtorëve mund të ndikojë për të shkaktuar paqëndrueshmëri sociale, nxit reforma gjithnjë e më përparimtare, thotë Mike Lee, zëdhënës për Përgjegjshmërinë Sociale Ndërkombëtare.

Në qytetin jugor të Shenzhenit për shembull, një projekt pilot i administruar nga sindikata e vetme e njohur ligjërisht në vend, AFCTU, mundëson që punëtorët të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre.

“Brezi i ri i punëtorëve nga vitet 1980, 1990 është shumë i pavarur. Ata kanë më shumë të drejta por komunikimi me punëdhënësit është përkeqësuar. Kjo mund të jetë problem. Mund të priten më shumë greva.”

Shtimi i kostos së punës do të thonë se Kina po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë për firma si Foxconn, që ka më shumë se një milion punonjës në vend.

Ndërsa iPhone 5 po shkon drejt prodhimit, kompania po kërkon kosto më të ulta. Në korrik, ministria indoneziane e industrisë njoftoi se gjigandi tajvanez do të investojë 10 miliard dollarë për të ndërtuar një fabrikë në ishullin e Xhavës. Pavarësisht se Indonezia është ekonomia më e madhe në Azinë juglindore, punëtorët e këtij vendi gëzojnë paga më të ulëta se sa homologët e tyre kinezë dhe më pak mbrojtje në vendet e punës.
XS
SM
MD
LG