Lidhje

Arabia Saudite e shqetësuar mbi paqëndrueshmërinë në Jemen

  • Elizabet Arrot

Arabia Saudite e shqetësuar mbi paqëndrueshmërinë në Jemen

Arabia Saudite e shqetësuar mbi paqëndrueshmërinë në Jemen

Kaosi i mundshëm në Jemen ka shkaktuar shumë shqetësim tek fqinji i saj i pasur verior, Arabia Saudite. Një monarki me prirje, ky vend i ka rezistuar ndryshimeve që kanë përfshirë botën arabe, por mund të bëjë një përjashtim nëse ndryshimet do të krijojnë një Jemen më të qëndrueshëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Arrott sjell hollësi.

Arabia Saudite nuk është një aleat i natyrshëm i kryengritjes politike në Jemen. Një aktivist i shquar pro-demokracisë në Sana thotë se të rinjtë jemenas e shikojnë me dyshim Mbretërinë Saudite.

Adel Abdu Arrabeai thotë se meqenëse Arabia Saudite nuk ka standarde për një shtet demokratik dhe civil, është e pamundur që të ketë përputhje mendimesh. Këtij dyshimi i shtohet edhe perceptimi i përhapur se presidenti Ali Abdullah Saleh ka qenë në gjendje të sigurojë mbështetjen e Arabisë Saudite. Tom Finn është gazetar i pavarur në Sana:

“Një nga arsyet kryesore që Jemeni ka qenë ndoshta më ndryshe se sa revolucionet tjera arabe, veçanërisht nga jetëgjatësia e protestës, është se Ali Abdullah Saleh është ende i bindur disi se të paktën ai ka mbështetjen e Arabisë Saudite, e cila është gjithashtu një fuqi rajonale me ndikim të madh”.

Gjatë gjithë revolucioneve arabe të quajtura Pranvera Arabe, Arabia Saudite ka shprehur preferencën për status kuonë, duke mbështetur udhëheqësit e larguar të Tunizisë dhe Egjiptit dhe duke dërguar tanke për të ndihmuar Bahreinin për të shtypur kryengritjet në vend.

Por për Jemenin, Arabia Saudite dhe fqinjët e saj të Gjirit Persik kanë një qasje të ndryshme. Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit Persik doli me një plan për të lehtësuar daljen e presidentit Saleh nga zyra, dhe sigurimin e një transferimi paqësor të pushtetit.

Zoti Saleh tha se në parim ai pajtohet me planin, por vazhdon të gjejë arsye për të mos e nënshkruar atë. Disa vëzhgues besojnë se nëse Arabia Saudite do të kishte dashur seriozisht largimin e udhëheqësit të Jemenit, ajo ka humbur një mundësi të madhe për ta bërë këtë. Ata argumentojnë se kur zoti Saleh shkoi në Riad në qershor për të marrë veten pas një përpjekjeje për vrasjen e tij, sauditët duhet ta kishin detyruar atë të qëndronte atje.

Por drejtori i Institutit Amerikan për Studime mbi Jemenin, Stephen Steinbeiser thotë se ligjshmëria e ndalimit të zotit Saleh ishte pjesë e llogaritjeve të sauditëve për ta lejuar atë të kthehej në vend në fund të muajit të kaluar.

“Ata ndoshta mendonin se presidenti ishte me të vërtetë i vetmi që mund të shtypte dhunën në rritje, sidomos në ditët para kthimit të tij, dhe ai ende kishte kredibilitetin e njerëzve për arritjen e një marrëveshje tranzicioni, pavarësisht se si do të përfundonte ajo”.

Kjo iniciativë përfundimisht mund t’i jepte një goditje jo vetëm dyshimit të aktivistëve dhe studentëve, por edhe argumentit mbi pikëpamjet e Arabisë Saudite për Jemenin- se Mbretërisë Saudite i vinte për shtat një dozë paqëndrueshmërie tek fqinji i saj më i varfër, pasi kjo do ta bënte më të lehtë manipulimin e këtij vendi.

Por në vitet e fundit çdo dobësi e Jemenit është kthyer në një problem për Arabinë Saudite, veçanërisht kur terroristët me bazë në Arabinë Saudite u bashkuan me homologët e tyre të Jemenit për të formuar al-Kaidën në Gadishullin Arabik. Analisti politik Steinbeiser thotë se një fqinj i dobët mund të ketë qenë diçka e dëshirueshme në të kaluarën.

“Në këtë pikë unë mendoj se sauditët e kanë kuptuar se ka probleme më të mëdha se sa një Jemen i fuqishëm. Këto probleme të terrorizmit apo të fondamentalizmit janë shumë më të rënda dhe të menjëhershme”.

Al-Kaida nuk është e vetmja forcë që Arabia Saudite frikësohet se mund të shfrytëzojë paqëndrueshmërinë dhe trazirat. Është shkruar shumë për Iranin i cili është duke u përpjekur për të fituar një terren në gadishullin arab. Ka lidhje të mundshme midis Iranit shiit dhe grupeve fetare në Jemen, në veçanti me rebelët Houthis në veri.

Disa analistë politikë besojnë se në Jemen kërcënimi është ekzagjeruar, por zoti Steinbeiser thotë se në rast të një kërcënimi nga Irani, Arabia Saudite dhe të tjerët do të veprojnë me vendosmëri.

“Unë mendoj se vendet e tjera të Gjirit do të jenë shumë të shqetësuara për këtë. Mendoj se në rast të një kërcënimi ato do të ndërhyjnë, me mbështetjen e plotë të Arabisë Saudite, për të penguar çdo ndërhyrje të mundshme nga Irani në Jemen”.


Një Jemen demokratik nuk mund të jetë preferenca e monarkisë absolute në Arabinë Saudite, por në sytë e shumë analistëve të këtij vendi, alternativat e tjera do të ishin shumë më të dëmshme.

XS
SM
MD
LG