Lidhje

Shkencëtarët francezë: Arafati nuk është helmuar


E veja e Yasser Arafatit thotë se hetimi i gjatë nga shkencëtarët francezë mbi vdekjen e ish udhëheqësit palestinez ka përjashtuar mundësinë e helmimit me polonium radioaktiv.

Një raport i fshehtë i që u nxorr dje nga mediat, thotë se gjetjet e fundit të ekipit francez tregojnë se Yasser Arafat vdiq nga një “infeksion i përgjithshëm”.

Këto rezultate bien në kundërshtim me gjetjet e shkencëtarëve zviceranë se një studim i eshtrave të Arafatit fliste për “një aktivitet të lartë e të papritur” të poloniumit dhe se ai mund të mos ketë vdekur nga shkaqe natyrore.

E veja e tij, Suha Arafat, tha se ishte e “tronditur” nga zbulimet kontradiktore: por ajo nuk fajësoi askënd për vdekjen e tij.

Yasser Arafati vdiq në Paris në vitin 2004 në moshën 75 vjeçare, pas një jete që ia kushtoi luftës kundër Izraelit në emër të pavarësisë së Palestinës. Kritikët e akuzojnë atë për orkestrimin e shumë sulmeve terroriste kundër shtetit hebraik.

Këtu ai është në vitin 1982 në Bejrut, pasi Izraeli pushtoi Libanin në përgjigje të sulmeve ndër-kufitare.

"Kjo është pjesë e marshimit tonë të gjatë drejt pavarësisë, drejt kryeqytetit të Palestinës, Jeruzalemit.''

Në vitin 2001, Izraeli e izoloi Arafatin në kompleksin e tij në Bregun Perendimor pas një vale sulmesh vdekjeprurëse.

Ai e dënoi rrethimin izraelit të kompleksit.

"I bëj thirrje gjithë botës të ndalë këtë agresion kundër popullit tonë, këtij shkallëzimi ushtarak, këtyre vrasjeve.''

Kur shëndeti i tij u përkeqësua, Izraeli e lejoi atë të shkonte në një spital ushtarak francez në Paris në tetor të vitit 2004. Ai vdiq atje një muaj më vonë.

Shkencëtarët u përpoqën të përcaktonin shkakun e vdekjes dhe nëse poloniumi luajti rol në të.

Zyrtarët palestinezë kanë pohuar se ai është vrarë dhe disa kanë akuzuar Izraelin. Shteti hebraik i ka mohuar akuzat.

Izraeli tha të martën se nuk është i habitur nga raporti francez.
XS
SM
MD
LG