Lidhje

Izraeli “përgjegjësi i vetëm dhe kryesor” për vdekjen e Arafatit


Hetuesi palestinez Tawfik Tirawi, i bëri këto komente sot, një ditë pas daljes së një raporti mjekoligjor zviceran që thekson se ka të dhëna që të bëjnë të besosh se zoti Arafat u helmua me lëndë radio-aktive

Kryetari i grupit hetimor palestinez për vdekjen e ish udhëheqësit Yasser Arafat tha se Izraeli është “përgjegjësi i vetëm dhe kryesor” që shkaktoi vdekjen e tij. Hetuesi palestinez Tawfik Tirawi, i bëri këto komente sot, një ditë pas daljes së një raporti mjekoligjor zviceran që thekson se ka të dhëna që të bëjnë të besosh se zoti Arafat u helmua me lëndë radio-aktive.

Zoti Tirawi u tha sot gazetarëve se hetimet do të vazhdojnë dhe ai e quajti vdekjen e zotit Arafat si “krimin e shekullit të 21”.

Sipas ekipit mjeko-ligjor zviceran “ka të dhëna të moderuara”, siç shprehet raporti, se ish udhëheqësi palestinez është helmuar me dozë vdekje-prurëse të mineralit radioaktiv të poloniumit. Analiza zvicerane nuk arrin të konfirmojë shkakun e vdekjes, por thekson se sasia e substancës në trupin dhe rrobat e zotit Arafat ishte aq e lartë, sa nuk mund të gjendej aty aksidentalisht.

Palestinezët prej kohe kanë akuzuar Izraelin për helmimin e zotit Arafat. Izraeli i ka mohuar akuzat dhe thotë se nuk ka luajtur ndonjë rol në vdekjen e tij.

XS
SM
MD
LG