Lidhje

Ndikimi i arabo-amerikanëve në zgjedhje

  • Kane Farabaugh

Arabo-amerikanët përbëjnë afërsisht 0,5 për qind të zgjedhësve që do të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit në Shtetet e Bashkuara. Por, edhe pse kjo shifër nuk është shumë të madhe, ndikimi i tyre është në rritje, dhe udhëheqësit e komunitetit arabo-amerikan parashikojnë pjesëmarrje rekord të votuesve në nëntor.

Imami Hassan Qazwini nuk kishte përjetuar asnjë tranzicion paqësor të pushtetit gjatë jetës së tij në Irak, ku ishte rritur. Përvoja e parë e tillë për të ishte në Shtetet e Bashkuara.

"Kur erdha këtu dhe pashë kalimin paqësor të pushtetit nga një president në një tjetër, më bëri shumë përshtypje, dhe m’u duk diçka shumë premtuese."

Ai premtim ka inkurajuar njerëz të tjerë që të vijnë nga vende të shkatërruara nga lufta dhe të paqëndrueshme për të filluar një jetë të re në Shtetet e Bashkuara.
Imam Qazwini – tani udhëheqës i Qendrës Islamike të Amerikës në Dearborn, të shtetit Miçigan – thotë se pasuesit e besimit me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, Islamit, përbëjnë gjithashtu një bllok votuesish, ndikimi i të cilit po rritet në mënyrë të vazhdueshme, në çdo zgjedhje.

"Mendoj se gjatë këtyre zgjedhjeve, do të shohim pjesëmarrjen më të lartë të arabo-amerikanëve dhe amerikanëve myslimanë."

Ajo pjesëmarrje është, pjesërisht, rezultat i përpjekjeve të personave si Rachid Elabed.

Ai është ekspert i Angazhimit të Publikut për organizatën jo-fitimprurëse Qendra Komunitare Arabe për Shërbimet Ekonomike dhe Sociale, dhe pjesë e punës së tij është regjistrimi për të votuar i shtetasve të rinj amerikanë.

Zoti Elabed pohon se nuk është e lehtë t’u shpjegosh imigrantëve procedurat e votimit në Shtetet e Bashkuara.

"Ata nuk e kuptojnë me lehtësi që kanë lirinë e fjalës, lirinë e votës. Për ta është një proces i ri dhe ndodh që të jenë frikësuar, sepse nuk janë të sigurt se çfarë duhet të bëjnë dhe se ku mund të marrin informacionin e nevojshëm."

Një pjesë e atij informacioni vjen nga botime si e përjavshmja Arab-American News, e drejtuar nga botuesi nga Dearborni, Osama Siblani.

"Ne vijmë nga vende që qeverisen nga diktatorë dhe regjime totalitare, kështu që njerëzve u nevojitet kohë për t’u mësuar me idenë e demokracisë, me idenë e votës dhe të regjistrimit për të votuar."

Një nga konceptet kyçe që Rachid Elabed përpiqet të përcjellë tek votuesit e rinj është rëndësia e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje, pavarësisht nga fakti i njohur se arabo-amerikanët përbëjnë një përqindje të vogël të numrit të votuesve.

"Kjo përqindje mund të ketë ndikim në zgjedhje”.

Ndikim që Imam Qazwini thotë se favorizon presidentin Obama në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

"Shumica e arabo-amerikanëve thonë se zgjedhja e tyre do të jetë Obama. Ata mendojnë se ai është kandidati më i arsyeshëm."

Por ai është një kandidat që shërben aktualisht si President në një vend ku papunësia mbetet ende shumë i lartë. Niveli i papunësisë në Miçigan është më i lartë se mesatarja kombëtare. Punësimi përbën një prej çështjeve më të rëndësishme për të gjithë votuesit, duke përfshirë arabo-amerikanët dhe pritet që të jetë çështja vendimtare e garës presidenciale të këtij viti.
XS
SM
MD
LG