Lidhje

Arbana Xharra merr çmimin prestigjoz në Uashington


Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra është ndër 10 gratë, të cilat u nderuan në Uashington me çmimin prestigjioz ndërkombëtar për Gra të Guximshme që jep Sekretari amerikan i Shtetit.

Në ceremoninë e zhvilluar të premten pasdite, zëvendës-sekretarja e shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Heather Higginbottom, tha se raportimet e Arbana Xharrës mbi ekstremizmin fetar dhe ndikimin e tij në shoqëri kanë nxjerrë në pah një çështje serioze për Kosovën dhe tërë rajonin. Reagimet ndaj raportimeve të saj rezultuan në sulme të hapura kundër reputacionit dhe jetës së saj. E papërkulur, Xharra vazhdon të raportojë mbi keqpërdorimet në institucionet publike,” tha zonja Higginbottom.

Pas ceremonisë, zonja Xharra i tha Zërit të Amerikës se të raportosh për ekstremizmin fetar në Kosovë nuk është e lehtë. Ajo tha se në punën e saj ka patur ndihmën e pakursyer të klerikëve të moderuar.

Zonja Xharra njihet edhe për raportet hulumtuese mbi korrupsionin, një dukuri, që siç vuri në dukje ajo, shfaqet sot fare hapur në Kosovë.

Ceremonia e çmimeve fillimisht ishte planifikuar për të enjten, por u shty për shkak të motit të keq në Uashington.

Në ceremoninë e zhvilluar në Departamentin e Shtetit, Zonja Xharra falënderoi organizatën “American Women For International Understanding” për këtë çmim, të cilin ia dorëzoi Zonja Catherine M. Russell, ambasadore e lartë e zyrës së Sekretarit të Shtetit për çështje globale të gruas.

Ky çmim i rëndësishëm ndërkombëtar nderon gratë të cilat kanë treguar guxim dhe rol të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe përparimin shoqëror kudo në botë. Çmimi nënvizon njëkohësisht përparësitë strategjike të Zyrës për Çështje Evropiane të Departamentit të Shtetit, siç janë lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe korrupsionit.

Krahas zonjës Xharra, këtë çmim e morën edhe Niloofar Rahmani nga Afganistani, Nadia Sharmeen nga Bangladeshi, Rosa Julieta Montaño Salvatierra nga Bolivia, May Sabe Phyu nga Birmania, Béatrice Epaye nga Republika e Afrikës Qendrore, Marie Claire Tchecola nga Guinea, Sayaka Osakabe nga Japonia, Tabassum Adnan nga Pakistani dhe Majd Chourbaji nga Siria.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG