Lidhje

Ahmetaj: Marrëdhënia me FMN-në do të vazhdojë, përtej marrëveshjes aktuale


Intervistë me z. Arben Ahmetaj, Ministër i Financave i Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:15:49 0:00

Intervistë me z. Arben Ahmetaj, Ministër i Financave i Shqipërisë

Ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, që gjendet këto ditë në Uashington për bisedime me Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës në qendër të bisedimeve janë zhvillimet ekonomike të vendit. Ai tha se pjesë e këtyre bisedimeve është edhe mundësia e rritjes së rrogave dhe pensioneve, por nuk është marrë një vendim sesa do të ishte kjo rritje. Zoti Ahmetaj, foli edhe për marrëdhëniet e ardhshme me FMN-në, investimet e huaja dhe për çështjet e pronësisë së ARMO-s.

Intervistë me z. Arben Ahmetaj, Ministër i Financave i Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:15:49 0:00

Zëri i Amerikës: Fillimisht, le të flasim pak për temat e bisedës me FMN-në këto ditë.

Arben Ahmetaj: Fokusi kryesor janë zhvillimet ekonomike të Shqipërisë, me një retrospektivë trevjeçare, pra që nga momenti i fillimit të programit, sepse tashmë jemi në fund të programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në shkurt të 2017-ës, programi mbyllet. Programi është cilësuar si “star performer”, pra një nga performuesit më të mirë në rajon, edhe për arsye të drejtpërdrejta statistikore dhe strukturore. Ekonomia shqiptare ka një rritje prej 3.4%, ndërkohë që tre vite më parë ishte statistikisht nën 1%. Dhe të gjitha të dhënat, shifrat, tregojnë që ekonomia shqiptare e ka lënë pas krizën dhe ka hyrë në një rrugë, cikël, të konsoliduar rritjeje afatgjatë. Në të njëjtën kohë, të gjitha të dhënat makrofiskale, pra që kanë të bëjnë me buxhetin, tregojnë vetëm konsolidim fiskal, rritje ekonomike, ulje borxhi.

Zëri i Amerikës: A është njëra nga temat rritja e pensioneve dhe rrogave? Duket sikur ky vendim për ta diskutuar dhe për të parë nëse mund të rriten është si shumë pranë zgjedhjeve të ardhshme. A ka lidhje, ndërkohë që kjo nuk është bërë në tre vitet e para?

Arben Ahmetaj: Ju falenderoj për pyetjen. Dua t’ju them që në qoftë se Fondi Monetar Ndërkombëtar me shumë vende diskuton uljen e pagave, me ne sot është duke debatuar rritjen e pagave dhe sa rritje do të ketë. Nuk ka lidhje fare me zgjedhjet. Ka lidhje me suksesin që ka pasur reformat. Është momenti i duhur për të përmendur atë set reformash që qeveria Rama ka bërë në këto tre vite; që nga reforma makrofiskale – pra kontrolli i borxhit, ulja e borxhit, ulja e defiçitit. Për herë të parë sivjet, pra këtë vit në 2016-ën, do të ketë një balancë primare pozitive. E thënë për qytetarët thjesht, qeveria vetë me operacionet e veta nuk krijon borxh. Është reforma në energji që është nga reformat më të suksesshme, megjithëse ishte shumë e vështirë. Është reforma e pensioneve, e paprekur në 25 vite. Dhe mbi të gjitha, është reforma në drejtësi. Pra, është shumë e rëndësisshme për t’i treguar qytetarëve shqiptarë që reformat po kthejnë mbrapsht sakrificën, me rritje ekonomike, me rritje të ardhurash dhe patjetër me mundësi për të rritur pagat dhe pensionet.

Zëri i Amerikës: U pranua propozimi juaj për rritjen dhe sa përqind është plani juaj për këtë rritje?

Arben Ahmetaj: Në parim, sigurisht që mundësia e rritjes së pagave dhe pensioneve është aty, për shkak të mbledhjes së të ardhurave, për shkak të sukseseve të reformave, për shkak të zhvillimit ekonomik. Ne jemi akoma në debat me Fondin Monetar se çfarë hapësire do të kemi brenda buxhetit për rritjen e pagave dhe pensioneve. Dhe sigurisht pastaj, që është një vullnet dhe një vendim politik i Kryeministrit dhe i maxhorancës, për hapësirat se sa.

Zëri i Amerikës: Vitin që vjen mbyllet marrëveshja aktuale me FMN-në, me këtë institucion të rëndësishëm. Cila do të jetë marrëveshja e ardhshme? Do të jetë po ajo formale, sipas artikullit 4, apo ndonjë marrëveshje dhe program i një forme tjetër të re?

Arben Ahmetaj: Sërish ju falenderoj për pyetjen. Mbaron një program i cili u quajt një ndër programet më të suksesshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Shqipëria, sërish e theksoj dhe besoj që duhet theksuar, ka lënë mbrapa krizën ekonomike. Ka krijuar një model të ri ekonomie, i bazuar në prodhim, në eksporte, dhe patjetër në konsum, dhe i foksuar nga tërheqja e investimeve të huaja. Investimet e huaja në vitin 2015 kanë qenë rekord në 25 vite dhe krahasimisht me shumë vende të rajonit ne jemi mbi Maqedoninë, mbi Malin e Zi nominalisht, dhe mbi shumë vende, mbi Kosovën patjetër. Dhe besoj që marrëveshja do të mbyllet me sukses në shkurt. Është shpejt për të menduar çfarë lloj marrëveshjeje do të kemi vitin tjetër me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por një gjë është e sigurt. Ne do ta vazhdojmë punën me Fondin Ndërkombëtar Monetar dhe marrëdhënien me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndoshta në artikullin 4, ndoshta në një, le të themi, marrëveshje politikash.

Zëri i Amerikës: Po përmendët pak investimet, në fakt në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, investimet e huaja kanë shënuar rënie. Dhe nga ana tjetër, ato janë kryesisht në dy sektorë: energjitik dhe hidrokarbure. A do të thotë kjo se ende ka vështirësi për të tërhequr investime të huaja edhe në drejtime në fusha të tjera, sidomos ato që kanë të bëjnë me shërbimet?

Arben Ahmetaj: Përkundrazi, unë kam këtu përpara shifrat e investimeve. Tremujori i dytë i vitit 2016 është tremujori kampion i tërheqjes së investimeve të huaja në 261 milionë euro. Pra, ka një rimëkëmbje të tërheqjes së investimeve të huaja, dhe unë besoj se ky vit do të jetë sërish një vit akoma edhe më i mirë se viti 2015. Ka tërheqje investimesh në energji, qoftë në hidrokarbure, qoftë në hidro, qoftë në industrinë e naftës, të kërkimit dhe të zhvillimit. Ka investime në bujqësi, ka investime në turizëm, ka investime në shërbime...pra ajo nuk është një shifër e vogël. Është një shifër goxha e lartë dhe një nga arsyet e drejtpërdrejta të zhvillimit. Janë duke u bërë shumë reforma edhe në “Doing Business,” pra për të afruar, për ta bërë Shqipërinë një vend të thjeshtë për t’u bërë investime, për të bërë punë. Interesi është shumë i madh, kontretizimi gjithashtu është shumë i madh, indeksi i fundit i ndërmarrjeve tregon një rritje të konsiderueshme të numrit të ndërmarrjeve të huaja në vend, gjë që është një statistikë domethënëse e drejtpërdrejtë. Edhe 900 milionë – 889 milionë sa morëm vitin e kaluar në investime të huaja – megjithëse shumë më shumë se vendet e tjera në rajon – sërish për Shqipëri është pak, për ambicien që kemi ne dhe për atë që meriton vendi. Sigurisht që pas reformës në drejtësi dhe pas gjithë këtyre reformave që janë ndërmarrë, unë jam i bindur që numri i investimeve të huaja dhe investitorëve të huaj në Shqipëri do të vijë duke u rritur.

Zëri i Amerikës: Kur thoni, tremujori i dytë ka patur rritje, në fakt kjo nuk e hedh poshtë automatikisht faktin që për gjashtë muaj mund të ketë pasur rënie në total...

Arben Ahmetaj: Duhet të dini që në tremujorin e parë, ka një profil pak më ndryshe se sa tremujorët e tjerë. Por, ndërkohë ka edhe një reflektim të të gjitha negociatave për transaksioneve që kanë pasur investitorët kryesorë siç është Shell-i. Pra Shell-i gjatë gjashtëmujorit të parë nuk investoi fare, tani do të investojë 50 milionë; transaksione tek Bankers-i që vonuan investimet, tani Bankers do të investojë vetëm në tremujorin e fundit 40 milionë dollarë; e njëjta gjë ndodhte me aeroportin, e njëjta gjë ndodhte me disa marrëveshje të tjera në fushën e hidrokarbureve. Sigurisht që kërcimi në tremujorin e dytë është përtej pritshmërisë tonë dhe unë jam i bindur që është një tremujor domethënës – urë për të vazhduar. Fakti, pa e ndërprerë atë llogjikë që ju më pyetët, është që në tremujorin e dytë rritja ekonomike është prapë rritje domethënëse: 3.21 %. Që do të thotë se ne e kemi shumë të mundur të kapim 3.4 apo ndoshta 3.5% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2016.

Zëri i Amerikës: Megjithatë bie në sy se në sektorë të rëndësishëm si bujqësia për shembull, të cilin ju e keni shpallur edhe si një nga prioritetet e zhvillimit, ka një rritje negative të paktën prej tre tremujorësh me rradhë, pavarësisht nga rritja në përgjithësi që është ambicioze – 3.21% siç thatë juve.

Arben Ahmetaj: Është interesante që në të gjithë sektorët, edhe nënsektorët, të cilët të gjithë janë rritur përveç bujqësisë, ju keni kapur bujqësinë dhe është domethënëse. Dhe më vjen mirë. Është domethënëse për dy arsye: e para është peshkimi ai që akoma nuk na ka dhënë atë që ne kemi investuar, dhe e dyta unë besoj, por tashmë nga ana e qeverisë, që kemi nevojë tek bujqësia, me ndihmën e Eurostat-it, të kemi një platformë statistikore më të saktë. Dhe padashur të hyj në debate të kësaj qeverie me atë qeverinë e vjetër, numrat e bujqësisë në qeverinë e kaluar realisht rezultojnë të fryra. Dhe për shkak se ne jemi shumë transparentë dhe nuk cënojmë asnjë numër, Instat-i është i pavarur, akoma numrat e dikurshëm me numrat aktualë, realë të tanishëm, kanë një lloj diskonkordance. Kështu që ne kemi kërkuar ndihmën e Eurostat-it për ta sqaruar komplet këtë platformë statistikore. Bujqësia për mendimin tim ka dhënë rezultate të shkëlqyera në prodhim. Në eksport, është rritur eksporti me minimalisht 18% dhe ndërkohë që ne kemi investuar seriozisht në maestralet e kanaleve ujitëse dhe vaditëse dhe në mjete për ndihmë të infrastrukturës së bujqësisë.

Zëri i Amerikës: Flasim pak lidhur me pronarët e rinj të ARMO-s. Është një temë që ka hapur debat, komplekse, ndoshta sepse edhe mungon informacioni i duhur. Kjo është një firmë që është e zhytur në borxhe dhe nuk ka shumë informacion se cilët janë faktikisht pronarët e rinj.

Arben Ahmetaj: Firma ARMO e keni fjalën?

Zëri i Amerikës: Po.

Arben Ahmetaj: OK.

Zëri i Amerikës: Dhe është folur për investitorë amerikanë, por pa shumë hollësi, ndërkohë që mund të duhen shuma marramendëse për ta bërë këtë firmë të suksesshme, për të realizuar atë që është si synim për t’u realizuar nga kjo firmë dhe për të nxjerrë një produkt cilësie të mirë. Pak më shumë hollësi, ju lutem, meqenëse se ju edhe keni folur lidhur me këtë çështje.

Arben Ahmetaj: Patjetër. Ka dy këndvështrime që duhet të shohim çështjen e ARMO-s. Së pari, ARMO është një dështim spektakolar i qeverisë së kaluar në privatizim, në menaxhim dhe në privatizim.

Zëri i Amerikës: Le të flasim për kohën e tanishme.

Arben Ahmetaj: Patjetër, patjetër. Dhe e trashëguar në atë rrënojë, le të themi rafineria sigurisht që ka ciklin e vet teknologjik, i cili mund ta bënte të paçbëshëm dëmin në teknologji, në rafineri dhe në asete. Ndërkohë që kompania e privatizuar ka trashëguar dhe ka krijuar borxhe të reja me bankat, borxhe të reja me furnitorët dhe borxhe të reja me tatimet. Pra, një kompani private e cila ka krijuar tre lloj borxhesh. Dhe vjen një moment nga ana legale, kur të gjithë kreditorët, në rastin konkret bankat të cilat ka pasur kolateral asetet, këto rafineri, kanë të drejtë në bazë të ligjit për të, le të themi, marrë në mirëmbajtje ose le të themi për ta këmbyer si kolateral, për ta mbajtur si kolateral në bazë të kontratës së kredisë. Dhe bankat sigurisht që, për të mos dëmtuar veten e tyre, kanë hyrë në një transaksion privat. Pra, është një transaksion purifik, pastërtisht privat, midis bankave dhe kompanive. Dhe janë marrëdhënie qeraje. Nuk është marrëdhënie shitjeje apo blerjeje. Pra, akoma. Në kuptimin juridik dhe kuptimin e transaksionit financiar. Dhe ka kompani amerikane, konkrete, që do duhet të investojnë. Dhe puna, në dijeninë time, ka filluar. Janë gati në listë pritje për të filluar punë 1200 punëtorë dhe vetëm ditët e para kanë filluar punë mbi 250 punëtorë, të cilët kanë qenë punëtorë të rafinerisë me vite dhe vite. ARMO nuk është shpërbërë. Është një njësi, një entitet ekonomik i cili pritet të trajtohet nga legjislacioni, qoftë nga le të themi risktrukturimi afatgjatë i kredive, apo nga falimentimi, kjo varet nga instrumentat juridikë dhe nga instrumentat institucionalë që do të vihen në lëvizje. Por, ne kemi një përpjekje të përbashkët të bankave që e kanë si kolateral atë aset dhe kompanive të ndryshme të interesuara për ta rivitalizuar atë pjesë të asetit.

Zëri i Amerikës: Qeveria ka informacion të mjaftueshëm për këta investitorë dhe që kjo do jetë një përpjekje e suksesshme, dhe cili është ky informacion? Se vërtet kjo është një marrëdhënie, që siç thoni ju, nuk është me qeverinë, është private.

Arben Ahmetaj: Është private.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, kur qeveria, ministri, merr përsipër të flasë për këtë çështje, është të paktën për publikun, si njëfarë garancie. I keni ju këto garanci? Keni informacion të mjaftueshëm për këta investitorë?

Arben Ahmetaj: Garancitë janë kur investimi bëhet konkret. Ajo është garancia e vërtetë. Për mua, si ministër financash, apo për Kryeministrin e Shqipërisë, hapi i parë është punësimi i atyre njerëzve, i atyre punëtorëve dhe i atyre familjeve që do mund të gjejnë një punë dhe të ushqehen me punë të ndershme. Transaksioni është privat. Informacioni i jonë, i disponuar, është që bankat kanë hyrë në një transaksion normal me një kompani tjetër private amerikane, apo me përbërje të ndryshme, që në finale në qoftë se është e çertifikuar nga institucionet që kanë detyrë ta çertifikojnë, është një kompani e rregullt, investimi i bërë është garancia. Asnjëherë fjalët nuk janë garanci.

Zëri i Amerikës: Nuk ju shqetëson fakti për shembull që ka pasur edhe informacione që disa nga drejtuesit kanë pasur probleme për sa i takon financave këtu në Amerikë?

Arben Ahmetaj: Do duhet që të jemi më konkretë. Në qoftë se kanë pasur probleme, ka institucione në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka institucione në Europë, ka institucione në Shqipëri që kanë të drejtën dhe detyrën, me iniciativë të tyre, të çertifikojnë qoftë individët, qoftë kompanitë. Qeveria ka detyrën e vet të hapi sa më shumë kompani. Pra, të lejojë hapjen e sa më shumë kompanive. Ta bëjë të mundur me sistemin rregullator, fiskal dhe të klimës së biznesit që të ketë sa më shumë punësim.

XS
SM
MD
LG