Lidhje

Shqipëri: ndikimi i borxheve dhe kredive


Në buxhetin e këtij viti qeveria shqiptare ka parashikuar një huamarrje rreth 1 miliardë dollarë. Kjo është shifra më e lartë e huamarrjes të programuar ndonjëherë në Tiranë. Qeveria po merr hua dhe kredi nga FMN dhe nga Banka Botërore. Po ashtu është deklaruar interesi edhe për eurobonde. Shifrat janë shqetësuese për ekspertët dhe qytetarët, sepse borxhi publik mbetet i lartë, ndërsa qeveria premtoi ta ulë nivelin e borxhit.

Qeveria ka marrë kredi dhe hua nga FMN dhe Banka Botërore, një pjesë e të cilave do të shkojnë për shlyerjen e borxheve ndaj firmave private dhe pjesa tjetër për reforma strukturore. Ekspertët pohojnë se borxhet e mbartura nga qeverisja e mëparshme, frenuan marrëdhëniet e shtetit me privatin dhe të privatit me bankat, por shlyerja e tyre, që u premtua nga qeveria e re do të çlirojë kreditimin.

Profesor Selami Xhepa, ish-ligjvënës demokrat, thotë se kreditë nga FMN dhe Banka Botërore duhet të sjellin siguri dhe qëndrueshmëri ekonomike, në të kundërt ato do të bëhen barrë njëlloj si borxhet e vjetra. Sipas tij, kthimet e borxheve janë të pakta dhe ato nuk po japin efektin e pritur në ekonomi në gjysmën e parë të vitit, borxhet e kthyera firmave nuk po riinvestohen, dhe problemi po mbetet përsëri aty brenda sistemit ekonomik.

Ekspertët pohojnë se ekonomia ka marrë një goditje të rëndë me borxhet dhe përvoja tregon që krizat japin pasoja afatgjata. Sipas tyre, keqësimi i financave publike nisi në vitin 2009 dhe rritja deri në 72 për qind e borxhit mund të kthehet në nivelin e mëparshëm gradualisht deri në vitin 2019 nga bashkëpunimi i qeverisë me FMN.

Profesori i ekonomisë Arben Malaj, ish-ligjvënës socialist dhe ish-ministër financash, thotë se kreditë dhe huatë e reja nga FMN dhe Banka Botërore, apo mesazhi për eurobonde nga ministri i financave synojnë ristrukturimin e borxhit dhe deficitit publik. Nëse këto masa do të sjellin rritje ekonomike reale, atëherë kreditë e reja e justifikojnë vetveten dhe nuk i rëndojnë ekonomisë.

Ekspertët vërejnë se investime të huaja të rëndësishme nuk po duken në asnjë fushë, bujqësia dhe turizmi, janë sipas tyre, në të njëjtën gjendje kaotike, por sektorët me interes për investime mbeten energjia, transporti dhe shfrytëzimi maksimal i pozicionit gjeografik të Shqipërisë në rajon.

Nga ana tjetër, studiuesit mendojnë se qeveria po hedh hapa të guximshëm me ristrukturimin e borxhit, sepse po përpiqet që ta shndërrojë atë në një borxh të jashtëm, duke bërë që burimet e brendshme financiare të kryejnë investime.

Studiuesit besojnë se matësi më i mirë i zhvillimit është ekonomia reale, pra, nëse rriten investimet në arsim dhe shëndetësi, nëse ulen kostot e energjisë dhe pensioneve për buxhetin, apo nëse rriten investimet në bujqësi dhe në industri. Reformat strukturore dhe ekonomia duhet të ecin shpejt dhe paralel dhe nuk duhet ta frenojnë njëra-tjetrën, sepse është paradoks t'i thuhet investuesve në një sektor; të shtyjnë investimet derisa të kryhet reforma strukturore.

Por sa mund të rëndojnë këto kredi të reja mbi ekonominë shqiptare? Prof. Malaj thotë se ato janë brenda një kuadri dhe tavani makro-ekonomik dhe janë projektuar të sjellin rritje ekonomike. “Borxhet janë pozitive, kur sjellin rritje në ekonominë reale, përndryshe rëndojnë njëlloj si ato të vjetrat”- tha ai.

Studiuesit vlerësojnë se problemi më i madh mbetet kreditimi i sektorit privat. Ata thonë se qeveria arrin të gjejë kredi, ndërsa biznesi privat nuk po gjen dot kredi dhe ky është paradoksi më i madh. Tani, që kreditë e këqija po rriten më tej, dhe kërkesa e vetë bizneseve për kredi është ulur, mbetet për t'u parë nëse shlyerja e borxheve nga qeveria ndaj firmave private do të përmirësojnë riinvestimet.

Nga ana tjetër pohojnë ata, qeveria duhet të përcjellë mesazhe të qarta tek investitorët, sepse investimet nuk po normalizohen as një vit pas zgjedhjeve. Ata besojnë se mesazhet qeveritare janë kontradiktore dhe të paqarta; thuhet se energjia është sektor me rëndësi, por nga ana tjetër thuhet se do të rishikohen gjithë projektet dhe kontratat. Po kështu në miniera dhe në fusha të tjera. Kjo mbjell mosbesim dhe pasiguri.

Megjithatë pika më e rëndësishme është kryerja e reformave strukturore me shpejtësi, në mënyrë që të mësojnë terrenin e ri ku do të veprojnë bizneset e tyre, dhe që ekonomia të rifitojë optimizmin e saj.

XS
SM
MD
LG