Lidhje

Kryeqyteti shqiptar kaloi sot një ditë tjetër pa makina, ndërsa banorët morën pjesë në veprimtaritë kulturore, që u organizuan në sheshet dhe rrugët kryesore.

​Në sheshin “Skënderbej”, në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” dhe në të gjithë rrugët që të cojnë drejt tyre sot u ndalua trafiku i automjeteve për të ulur sadopak ndotjen e ajrit në Tiranë dhe për t'i lënë vendin koncerteve dhe lojërave sportive.

Sheshi “Skënderbej” do të kthehet së shpejti në një zonë të kushtuar shesh tërësisht këmbësorëve, dhe derisa të nisin punimet cdo ditë e dielë do të jetë një ditë pa maikna.

“Bashkia e Tiranës po u jep gjithnjë e më shumë hapësira qytetarëve, këmbësorëve, biçikletave, në mënyrë që qyteti të jetë i të gjithëve. Kur dikush është në makinë ai është i ndarë nga të jetuarit së bashku, është në një hapësirë të vogël dhe zë hapësirën që u përket të gjithë qytetarëve. Qyteti duhet të jetë i të gjithëve dhe në mënyrë që të përdoret sa më shumë nga të gjithë”, - tha nënkryetari i bashkisë Arbjan Mazniku.

Bashkia organizoi me këtë rast panairin e produkteve bio, të organizatave mjedisore, turizmin e aventurës, ekspozita me fotot e kalave, monumenteve të natyrës.

Fëmijët u bënë pjesë e festivalit të balonave, luajtën në mini fushat e basketbolli, tenisit, futbollit, ndërsa të tjerët ndoqën koncerte nga “Tirana Art Fest”.

Ky ishte një rast për t'u paraqitur qytetarëve projektin e ri të sheshit “Skënderbej”.

“Ne besojmë që unazën e vogël do ta përfundojmë së shpejti. Do të hapim fillimisht unazën dhe pasi ta kemi hapur plotësisht, do të hapim punimet në shesh, për ta bërë atë pedonal brenda një viti”, - tha zoti Mazniku.

Tirana është një nga kryeqytetet më të ndotura të Europës prej automjeteve dhe gazrave karbonikë.

Projekte si ditët pa makina dhe ndërtimi i unazës së vogël janë pjesë e përpjekjeve për të shtuar rregullin dhe pastërtinë e kryeqytetit, ku kalojnë cdo ditë mijëra makina nga gjithë Shqipëria.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG