Lidhje

Kujtohet politikani e shkrimtari Pjetër Arbnori


Me disa fragmente nga letrat e burgut, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” hapi mbrëmë në Shkodër veprimtarinë në kujtim të politikanit dhe shkrimtarit Pjetër Arbnori, i cilësuar si Mandela i Shqipërisë, i cili është nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, pas vdekjes.

Përfaqësuesja e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, Florina Paskali, tha se u zgjodhën pikërisht letrat e tij të burgut për të kujtuar një nga figurat më të shquara të rezistencës antikomuniste dhe të periudhës pas komunimit në Shqipëri.

"Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” hap siparin e aktiviteteve për këtë vit pikërisht me një aktivitet In Memorium për nder të figurës se madhe, personalitetit të shquar shqiptar, zotit Pjetër Arbnori. Ai na ka lënë një trashigimi shumë të madhe, prej qindra e qindra faqe. Këtë trashigimi presin ta mësojnë të gjithë për të ditur se çka ndodhur në ato vite të tmerrshme. Zgjodhëm letra nga burgu se ato janë letra me shumë dashuri, janë letra të cilat janë të thjeshta, janë familjare. I drejtohen nënës, motrës, kane dashuri shumë të madhe".

E pranishme në këtë veprimtari, artistja e njohur Tinka Kurti tha se e kishte njohur personalisht zotin Arbnori dhe gjithë familjen e tij dhe se i kishte lënë përshtypje të thellë vepra e tij letrare, njërën prej të cilave e kishte rekomanduar për ta realizuar si film.

"Romani i Arbnorit “Shtepia e mbetur pergjysëm” është një roman i mrekullueshëm. Unë këtë roman ja kam dhënë një regjisori, një djali shkodran, Tomas Logoreci, i cili ka lindur në Amerikë dhe babai i tij është arratisur shumë heret. Kam kërkuar që ta bëjë film, në të cilin unë do të kem një rol të vogël. Skenari tregon për një familje të internuar pasi vajzën e saj e kanë pushkatur dhe, kur vjen koha e demokracisë, kjo familje nuk ka strehë, sepse në tokën e tyre të tjerë kanë ndërtuar një pallat. Ndaj ato vazhdojnë të jetojnë në internim. Për mua, ideja e këtij skenari është shumë e bukur dhe përmes këtij filmi ne do të kujtojmë Arbnorin dhe gjithë familjen e tij".

Ndërsa Leonard Kaçaj u shpreh se vepra e Arbnorit është një kujtesë e gjallë për të gjithë shqiptarët, që për gati gjysën shekulli vuajtën persekucionin e egër komunist, me qëllim që e kaluara të mos përsëritet më në Shqipëri.

"Arbnori mbetet një korife jo vetëm i burgut dhe i qendresës, jo vetëm i letrave dhe mendimit, i cili ka lënë shumë vepra e dorëshkrime që presin të botohen".

Në veprimtarinë në përkujtim të Pjetër Arbnorit ishin të pranishëm shumë bashkvuajtës të tij, qytetarë të Shkodrës, artistë të njohur si dhe përfaqësues nga Qarku i Shkodrë. Ishin të pranishën edhe bashkëshortja e zotit Arbnori si dhe fëmijet.
Me fjalë të thjeshta, e bija e Pjetër Arbnorit, falenderoi të gjithë pejsëmarrësit për kujtimin që ata ruajnë për babain e saj.

"Unë kam shumë kujtime për babain tim, Pjetër Arbnorin, dhe më vjen mirë që këtyre kujtimeve u bashkëngjiten edhe kujtimet tuaja. I bashkëngjiten edhe vepra dhe arti që ai ka lënë. Ju faleminderit!"

Pjetër Arbnori vdiq në Napoli të Italisë, ku kishte shkuar për t'u mjekuar, në korrik të vitit 2006, në moshen 71 vjeçare. Në vitin 1962 ai u dënua me vdekje, dënim që iu shndërrua me një burgim të gjatë 28 vjeçar në burgun famëkeq të Burrelit. Ai u lirua nga burgu në vitin 1989 dhe menjëherë u lidh me lëvizjen demokratike, që kishte nisur në Shqipëri.

Pjetër Arbnori u bë një nga figurat e njohura të Partisë Demokratike, deputet i saj për pesë legjislatura si dhe kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ai mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 20011, pas vdekjes.
XS
SM
MD
LG