Lidhje

Arktiku, një fushë e re rivaliteti


Në rajonin më verior të Tokës, që është Arktiku, po fillon një "Lojë e Madhe" gjeopolitike, ku Rusia kërkon të përdorë një zonë të madhe për zhvillimin e burimeve dhe Presidenti Barack Obama kohët e fundit miratoi projektin e shpimeve për naftë të Kompanisë Shell Oil, në një zonë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus njofton nga Hustoni se energjia është një pjesë e rëndësishme, por jo pasuria e vetme e Polit të Veriut.​

Profesori i Universitetit Rice, Bill Arnold, sapo është kthyer nga udhëtimi i tij më i fundit i peshkimit në Alaskë, ku ai mori me aparatin e tij pamje të natyrës së virgjër.

“Është i vetmi vend që ka qenë gjithmonë kështu, prandaj jam shumë i interesuar që të ruhen bukuritë e Alaskës", thotë ai.

Por, si një ish ekzekutiv i kompanisë së naftës Shell, ai beson se burimet energjetike mund të zhvillohen pa dëmtuar natyrën, ndryshe nga ambjentalistët, të cilët denoncojnë projektet e kompanisë amerikane të naftës në Arktik dhe shprehin zhgënjim për vendimin e Presidentit Obama.

Hapja e Arktikut rezulton nga shkrirja e akulllit për shkak të ngrohjes globale, për të cilën shkencëtarët thonë se shkaktohet në masë të madhe nga djegia e fosileve, si nafta, të cilën Arktiku e ka me shumicë.

“Ndoshta 25 për qind e naftës dhe gazit të pazbuluar që ka bota ndodhet në Arctic.”

Rusia, e cila ndan një vijë kufitare me rreth gjysmën e Arktikut, e sheh rajonin polar si jetik për prodhimin e vet të energjisë.

“Ata mendojnë se meqenëse burimet tradicionale po pakësohen, duhen gjetur burime të reja dhe disa nga burimet më të mëdha të botës ndodhen pikërisht këtu."

Zhvillimet ruse në rajon u ngadalësuan, pas vendosjes nga vendet perëndimore të sanksioneve për shkak të ankesimit të Krimesë nga Moska, duke i detyruar kompanitë e Perëndimit të tërhiqen nga partneriteti me Rusinë.

Por Bill Arnold thotë se hapja e Arktikut ka edhe aspekte të tjera strategjike.

Ai thotë se Rusia ka një prani të konsiderueshme ushtarake në rajon, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, që kanë një ekspozim më të vogël ndaj

Arktikut.

Ai thotë se shumë vende janë duke zhvilluar projekte lundrimi për ujërat e Arktikut, sapo atje të mos ketë më akull.

“Ende nuk dihet me saktësi potenciali i Arktikut, prandaj është tepër e rëndësishme që fillimisht atje të dërgohen anije eksplorimi."

Përsa i përket prodhimit të energjisë nga SHBA, prof. Arnold thotë se ndoshta do të duhen 7-10 vjet që përpjekjet eksploruese të kompanisë Shell të fillojnë të japin frytet e prodhimit në shkallë të gjerë.

XS
SM
MD
LG