Lidhje

Ish-Guvernatori Fullani shkon në arrest shtëpie


Inspektorja Elivar Golemi mbeti në arrest me burg, sipas vendimit të parë.

Gjykata e Apelit vendosi të mbajë në arrest shtëpie ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i pandehur për shpërdorim detyre në vjedhjen e 7,2 milionë dollarëve në departamentet e Bankës. Apeli rrëzoi kështu vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila qysh nga 5 shtatori e mbajti në arrest me burg.

Gjykata e Apelit nuk vendosi njëlloj për inspektoren Elivar Golemi, e cila mbeti në arrest me burg, sipas vendimit të parë. Apeli mbajti në arrest shtëpie tre persona të tjerë; Fatbardha Gurthi, Bahri Allushi dhe Ilir Dedja. Ata janë pjestarë të një grupi prej 18 vetësh, që akuzohen për vjedhjen në Bankë.

Avokati i mbrojtës i zotit Fullani deklaroi pas seancës gjyqësore në Apel se do të ankohet edhe për arrestin e shtëpisë dhe se do të kërkojnë hetim në gjendje të lirë. Në Gjykatën e Apelit zoti Fullani ka deklaruar se nuk ka lidhje me vjedhjen dhe se në detyrën e guvernatorit të Bankës ka zbatuar vetëm ligjit.

Hetimet për këtë vjedhje vazhdojnë. Ardian Bitraj, i akuzuari kryesor për vjedhjen e 7,2 milionë dollarëve, i deklaroi sot shtypit se për gjithçka ka vepruar i vetëm, derisa u tregoi vetë drejtuesve të Bankës për abuzimin e tij disa-vjeçar.

Ndërkaq Kryeministri Edi Rama shpërndau po sot një ftesë përmes rrjeteve për të gjithë ata shqiptarë, që punojnë e kanë përvojë në fushën bankare brenda dhe jashtë vendit, që të konkurrojnë për t'u zgjedhur anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG