Lidhje

Ish-presidenti argjentinas në gjyq për incidentin e 1994


Ish-presidenti argjentinas Carlos Menem dhe 12 persona të tjerë dalin sot në gjyq nën akuzat për komplot për të minuar procesin hetimor lidhur me shpërthimin vdekjeprurës të vitit 1994 në një qendër komunitare hebraike.

Prokurorët ngrenë pretendimin se zoti Menem dhe të akuzuarit e tjerë, përfshirë ish-shefin e tij të zbulimit dhe një ish-gjykatës federal janë përpjekur t’i devijojnë pistat e hetimeve për të mos lidhur shpërthimin në ndërtesën e Shoqatës Argjentino-Izraelite me Alberto Kanoore Edul, një argjentinas i lindur në Siri, i cili besohet se kishte lidhje me incidentin.

85-vjeçari Menem, i cili u bë presindet në 1989 dhe mbajti postin për një dekadë, ka vetë origjinë siriane. Zoti Menem, aktualisht senator, i ka hedhur poshtë akuzat.

Askush nuk është arrestuar apo gjykuar për incidentin e 18 korrikut 1994 në Buenos Aires, ku gjetën vdekjen 85 vetë kur një kamion i mbushur me lëndë plasëse shpërtheu dhe shkaktoi rrëzimin e ndërtesës.

Kjo çështje mbështetet nga Presidentja Cristina Fernandez, e cila u akuzua nga prokurori Alberto Nisman se ishte përpjekur për të sabotuar hetimet e tij për të mbuluar ndonjë lidhje të mundshme me Iranin. Prokurori Nisman pat ngritur pretendimin se qeveria e zonjës Fernandez ndihmoi për të orkestruar një marrëveshje me Teheranin: Argjentina e bllokuar në vështirësi ekonomike do të merrte naftë iraniane, ndërsa Irani do të merrte drithra dhe mish argjentinas dhe çështja mbi shkaktarët e incidentit do të mbetej pa zgjidhje.

Prokurori Nisman u gjet i vdekur në apartamentin e tij në janar, i qëlluar për vdekje në kokë, një ditë para se të dëshmonte para ligjvënësve argjentinas lidhur me akuzat e tij kundër zonjës Fernandez.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG