Lidhje

Ariel Sharon 1928-2014

  • Luis Ramirez

Në Kanalin e Suezit, 31 tetor 1973

Në Kanalin e Suezit, 31 tetor 1973

Ish-kryeministri izraelit Ariel Sharon u nda nga jeta në moshën 85 vjeçare pas një karriere të gjatë si burrë shteti. Udhëheqësi izraelit ishte një figurë komplekse që do të kujtohet si udhëheqës i fortë, por edhe për një numër vendimesh dhe aktesh polemizuese.

Ariel Sharon ishte një ndër ushtarakët izraelitë që iu futën më pas karrierës politike.

Gjatë shërbimit ushtarak ai mori emër si luftëtar i guximshëm në fushën e betejës gjatë dekadave pas krijimit të shtetit izraelit, sidomos për Luftën e Yom Kipurit të 1973. Me një taktikë brilante, ai udhëhoqi trupat izraelite përmes Kanalit të Suezit, duke i prerë rrugën ushtrisë egjiptiane.

Nga shumë veta ai konsiderohej si njeri brutal dhe i pamëshirshëm. Në 1982 ai udhëhoqi një ofensivë në Liban që rezultoi në masakrimin e qindra palestinezëve në kampet e refugjatëve Sabra dhe Shatila pranë Bejrutit nga grupe ushtarake libaneze.

Dennis Ross, ish-negociator amerikan për Lindjen e Mesme thotë se ushtria ishte ajo që u dha formë bindjeve të Sharonit.

"Ai krijoi bindjen se e vetmja mënyrë për të arritur paqen ishte nëse respektohej fuqia e Izraelit”.

Si politikan, Ariel Sharon mori plot vendime që ngjallën polemika. Kur ishte anëtar i Kabinetit gjatë një numër administratash, ai mbështeti ngritjen e vendbanimeve hebraike në territore të ndryshme palestineze.

Studiuesi palestinez Shukri Abed thotë se kjo e bëri Sharonin edhe më të urryer në sytë e arabëve:

"Më e pakta që mund të thuhej është se atij nuk ia kishin besën dhe ndoshta e urrenin shumë arabë, si rezultat i qëndrimeve të prera, si rezultat i mbështetjes së vendbanimeve. Ai ishte babai i krijimit të vendbanimeve hebraike”.

Si kreu i opozitës në 2000, vizita e Sharonit në Malin e Tempullit në Jeruzalem ngjalli zemërim tek paletinezët dhe u bë shkëndija e Intifadës së Dytë.

Në vitin 2001 ai u bë kryeministër. Qeveria e tij shtypi kryengritjen brenda pak vjetësh dhe filloi punën për ngritjen e murit që tani ndan izraelitët nga palestinezët.

Ariel Sharon kujtohet si udhëheqës i fortë, i cili nuk u kursye në veprime për të mbrojtur popullin e vet, por ai është gjithashtu një burrë shteti që ndërmori hapa të vështirë për hir të paqes.

Në vitin 2005, ai udhëzoi procesin e tërheqjes së Izraelit nga Rripi i Gazës, duke larguar kolonët hebrenj dhe ushtarët izraelitë nga kjo zonë me shpresën për paqe me palestinezët.

Në komentet që bëri në gusht 2005, ai tha se zhvendosja e vendbanimeve po bëhej në mënyrë që të vendosej një vijë sigurie që do të eliminonte ballafaqimin mes Izraelit dhe palestinezëve.

Zoti Sharon u largua nga Partia Likud e vijës së ashpër për të formuar Partinë e qendrës Kadima. Më pas ai u angazhua në bisedime intensive, por të pasuksesshme me palestinezët, me synimin për të krijuar shtetin e Palestinës.

Në 2006, ai pësoi goditje të njëpasnjëshme në tru dhe ra në koma. Vendin e tij e zuri Ehud Olmert. Ai u mbajt për vite në gjendje vegjetative në një spital pranë Tel Avivit, para se të dërgohej nën përkujdesjen e familjes në një banesë rurale në jug të Izraelit.

Ariel Sharon ia kushtoi jetën krijimit të një Izraeli të fortë. Përpjekjet e tij për paqe mbetet një proces ende i papërfunduar.
XS
SM
MD
LG