Lidhje

Izrael, vdes ish-kryeministri Ariel Sharon


Vdiq në moshën 85 vjeçare ish-kryeministri izraelit Ariel Sharon. Ai vdiq nga ndërlikimet e lidhura me një hemorragji cerebrale që ai pësoi para 8 vjetësh. Sipas mediave izraelite, zoti Sharon vdiq sot në një spital pranë Tel Avivit me familjen pranë tij.

Presidenti Barack Obama dhe udhëheqës të tjerë botërorë i dërguan mesazhe ngushëllimi Izraelit dhe familjes së zotit Sharon. Palestinezët, të cilët e shihnin ish-kryeministrin si armikun e tyre, shprehën gëzim për lajmin e vdekjes së tij.

Ai ishte kryeministër i Izraelit nga viti 2001 deri më 2006, kur një goditje në tru e la në gjendje kome në kulmin e pushtetit. Ai u zëvendësua si kryeministër nga zoti Ehud Olmert.

Mjekët thanë se shëndeti i tij nuk bëri përparim të mëtejshëm dhe vetëdija e tij ishte minimale. Mjekët thanë se ai nuk ishte më në gjendje për komunikim verbal. Para një jave, ata njoftuan se veshkat dhe organet e tjera jetike të zotit Sharon kishin filluar të degradonin.

Zoti Sharon ishte një ndër heronjtë ushtarakë të Izraelit shumë kohë para se të bëhej kryeministër në vitin 2001. Ai do të kujtohet ndoshta si një udhëheqës i fortë, i cili nuk u ndal përpara asgjëje për të mbrojtur izraelitët. Zoti Sharon ishte kryeministër në vitin 2005 kur Izraeli u tërhoq nga Rripi i Gazës.

Udhëheqës të shumtë botërorë folën me nderim për rolin e rëndësishëm të zotit Ariel Sharon në historinë e Izraelit, por edhe kritikët e tij shprehën mendimin e tyre.

Presidenti Barak Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle, i dërguan ngushëllimet më të thella familjes së zotit Sharon dhe popullit të Izraelit. Ata ripohuan angazhimin e palëkundur për sigurinë e Izraelit dhe për realizimin e synimit të dy shteteve që të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri.

Presidenti i Izraelit Shimon Peres, mik i vjetër dhe rival i zotit Sharon, e quajti atë një "ushtar trim dhe udhëheqës të guximshëm," i cili e donte vendin, por edhe vendi e donte atë.

Në një nga komentet e para pas shpalljes së vdekjes së paraardhësit të tij të shtunën në Tel Aviv, Kryeministri Benjamin Netanjahu shprehu keqardhjen e tij të thellë, dhe tha se kujtimi i zotit Sharon do të jetojë përgjithmonë në zemrën e kombit.

Udhëheqësit palestinezë e dënuan zotin Sharon, të cilin ata e kundërshtonin me forcë gjatë gjithë jetës së tij publike. Fraksioni islamik radikal Hamas, i cili tani kontrollon Gazën, e quajti atë një "tiran", ndërsa udhëheqësi i lëvizjes Fatah, Jibril Rajoub, e quajti zotin Sharon "kriminel" dhe shprehu keqardhje që ai nuk u nxorr kurrë përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG