Lidhje

Izraeli nderon ish kryeministrin Sharon


Izraelitët po i bëjnë nderime në ndërtesën e parlamentit, Knesset, në Jeruzalem ish kryeministrit të tyre Ariel Sharon, i cili vdiq dje në moshën 85 vjeçare. Zoti Sharon ka qenë kryeministër i Izraelit nga viti 2001 deri më 2006 kur u godit nga një hemorragji cerebrale. Ai do të varroset nesër në vendlindjen e tij në shkretëtirën e Negevit.

Mijëra izraelitë bënë homazhe sot para arkivolit të ish kryeministrit Ariel Sharon, trupi i të cilit ishte vendosur në Kneset, ndërtesa e parlamentit të vendit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu pasi mbajti një muinutë zi në takimin e përjavshëm të kabinetit, tha se zoti Sharon përfaqësonte një brez luftëtarësh hebrej që u ngritën së bashku me pavarësinë moderne të Izraelit.

"Zoti Sharon kuptoi se mbi të gjitha se pavarësia jonë është aftësia jonë për të mbrojtur veten me anë të vetes," tha kryeministri Netanyahu.

Dje, flamuri i Izraelit u ngrit në gjysmë shtizë për nder të ish-kryeministrit Sharon, një nga figurat më me ndikim dhe më të debatueshme të Izraelit, komandant ushtarak dhe udhëheqës politik.

Pranë murit perëndimor në pjesën e vjetër të Jeruzalemit, vdekja e zotit Sharon shkaktoi reagime të ndryshme.

"Jam i gëzuar që vdiq pasi ai i nxorri hebrenjtë nga shtëpitë e tyre dhe u shkaktoi vuajtje. Vdekja e tij nuk ka rëndësi për mua,'' thotë ky banor i Jeruzalemit.

"Ariel Sharon ishte një model për hebrejtë jashtë vendit sepse ai luftoi me guxim për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit,'' thotë Ariel Shaman.

Raanan Gissin ka qenë ndihmës i zotit Sharon.

"Një humbje e madhe për Izraelin, pavarësisht nga fakti se për tetë vjet ai ishte në komë. Mendoj se në Izrael ai do të mbahet mend si thelbi i shtetit të ri. Ai e njihte Izraelin nga pikëpamja ushtarake, zhvillimi ekonomik dhe bujqësia. Ai ishte gjithçka dhe përfaqësonte vlerat e vërteta izraelite.''

Zoti Sharon ishte një nga gjeneralët më të famshëm të Izraelit që la gjurmë në rajon nëpërmjet pushtimit ushtarak, ndërtimit të vendbanimeve izraelite në tokat e pushtuara, dhe vendimit të njëanshëm për tërheqjen e trupave izraelite dhe kolonëve nga Rripi i Gazës në vitin 2005.

Ai udhëhoqi pushtimin e Libanit më 1982, gjatë të cilit aleatët libanezë të krishterë vranë qindra palestinezë në dy kampe refugjatësh. Ai u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i ministrit të mbrojtjes pas një hetimi izraelit sipas të cilit ai ishte përgjegjës jo i drejtpërdrejtë për këto akte.

Zoti Sharon do të varroset nesër me një ceremoni private në fermën e tij në rajonin jugor të Negevit.
XS
SM
MD
LG