Lidhje

Ekspertët shqiptarë mbi armët kimike siriane


Qytetarët vazhdojnë protestat, por ekspertë, studiues dhe diplomatë shfaqin pikëpamje të ndryshme mbi mundësinë e shkatërrimit në Shqipëri të armëve kimike siriane.

Opinioni publik po proteston prej disa ditësh me shqetësimin se lëndë kimike luftarake të Sirisë mund të shkatërrohen në Shqipëri. Ekspertët po e diskutojnë çështjen në shumë pikëpamje. Ish-pedagogu i kimisë dhe ekologjisë në Akademinë Ushtarake, Ibrahim Bejo, thotë se Shqipëria mund të përfitojë shumë nga programet shoqëruese të këtij operacioni ushtarak, në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe të ekonomisë. Sipas tij, nëse Shqipëria merr përsipër ta kryejë këtë operacion, kjo nuk ka vështirësi teknike, sepse laboratorët janë të programuar për procesin, mjafton të vendosen larg qendrave të banuara. Zoti Bejo thotë se asnjë aksident nuk ka arsye të ndodhë në këtë proces, nëse ndiqen hapa të rregullt me disiplinë shkencore, ku do të punojnë njerëz të përgatitur dhe të mirorganizuar.

“Mendoj se shkatërrimi i zarinës dhe i VX-it do të jetë një proces bashkëveprimi i lëndës helmuese luftarake me një lëndë tjetër kimike, dhe zakonisht krijohen ujë dhe një kripë e patretshme, e cila përmban edhe grupin toksik të lëndës helmuese luftarake. Ky precipitat, kjo tretësirë, e cila krijohet nga ky bashkëveprim kimik, është pjesa e materialit toksik që ngelet nga kjo lëndë helmuese luftarake, e cila tanimë nga lëndë helmuese luftarake për qëllim ndotjeje, për t'u përdorur si armë, si municion, kthehet në një lëndë normale, si në rastin e pesticideve. Ndarja e ujit nga kripërat është po ashtu një proces i thjeshtë” - thotë ai.

Përveçse pedagog i kimisë ushtarake, zoti Bejo ishte për shumë vite drejtues në strukturat kundër-kimike të ushtrisë. Ai thekson se popullata mbi 30 vjeç ka shumë njohuri mbi lëndët helmuese luftarake, për shkak të shërbimit ushtarak, ndërsa banorët e fshatrave i njohin mirë nitratet e prodhuara në Fier dhe pesticidet e prodhuara në Durrës, sepse Shqipëria zhvilloi industrinë kimike për bujqësinë. “Armët e gazta, që vrasin me avuj dhe tymra nervo-paralizuese, shndërrohen gjatë shkatërrimit në kripëra të ngurta me rrezik minimal dhe janë të ngjashme me plehrat kimike të bujqësisë, të cilat janë të rrezikshme vetëm po i preke dhe po i fute në gojë” - thotë ai.

Por veprimtarët e mjedisit thonë se Shqipëria duhet të refuzojë përpunimin e armëve kimike të Sirisë. Blendi Kajsiu, studiues dhe veprimtar i shoqërisë civile thotë se shtetit shqiptar i mungojnë kapacitetet administrative, infrastruktura dhe fuqia për të përballuar një shkatërrim kaq masiv të lëndëve helmuese kimike. Sipas tij, Shqipëria ka një territor të vogël, të mbipopulluar dhe me shumë ujëra, që e lehtësojnë ndotjen e mjedisit dhe të banorëve.

“Nëse ndodh një katastrofë, a është shteti shqiptar i përgatitur për evakuimin e qytetarëve nga zona në fjalë, shtrimin në spitale dhe për emergjencën spitalore, a ekzistojnë toksikologët dhe ekspertët e mjaftueshëm spitalorë për t'u përballur me një krizë të tillë? Në asnjë nga këto aspekte, shteti shqiptar nuk i përmbush kushtet për të ofruar sigurinë minimale për jetën e njerëzve, gjë që është e detyrueshme me Kushtetutë” - thotë ai. Zoti Kajsiu tha se Shqipëria ka ndaluar me ligj importimin e çdo mbetje, përfshirë edhe lëndët kimike, që janë më të rrezikshme.

Por zoti Bejo mendon që është e kundërta; pra, kjo qeveri që forcoi ligjin për mbetjet urbane, aq më tepër e ka vëmendjen dhe vetëdijen mbi lëndët helmuese luftarake. “Shqipëria jep ndihmesën e vet me forca ushtarake në misione paqeruajtëse dhe si i tillë duhet parë edhe operacioni për shkatërrimin e lëndëve helmuese luftarake nga Siria. Kjo temë po trajtohet në mënyrë populiste, - thotë ai - por duhet të diskutojnë ekspertët dhe ata ta bëjnë këtë punë. Unë jam familjar vetë dhe nuk marr flamurin për të dëmtuar familjen time, por e mendoj si një mundësi për të treguar potencialin tonë ushtarak, gadishmërinë tonë si antar i NATO-s, dhe për të fituar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga projekti, i cili shoqëron shkatërrimin e këtyre lëndëve helmuese luftarake në Shqipëri.”

Ndërsa zoti Kajsiu thotë se mundësia e rrezikut është mjaft e lartë, veçanërisht në transportimin e lëndëve helmuese nga një shtet në tjetrin, qoftë me aeroplanë, apo me anije detare. Mund të ketë aksidente rrugore me këto lëndë, ashtu si mund të ndodhin aksidente gjatë përpunimit, nga ekspertë që mund të jenë shtetas të huaj. “Edhe nëse ekspertët i marrim nga jashtë, shtetin nuk mund të importohet. Përsëri duhen kapacitete evakuuese dhe spitalore. Edhe nëse vijnë ekspertët më të mirë nga jashtë, me kushtet më të mira për ta bërë këtë demontim, krijohet një paradoks, sepse këta njerëz që do të na sigurojnë jetën, shqiptarët nuk i paguajnë nga taksat e tyre, as i zgjedhin, as i emërojmë, as kanë judiksion mbi këta njerëz dhe as nuk i njohim.”

Studiues të tjerë mendojnë se për këtë proces po mungon informacioni dhe protestat rrezikojnë të politizohen sepse po ngrihen mbi gjysmë-të vërteta. Presidenti i Këshilli Shqiptar të Atlantikut, Arjan Starova, thotë se njerëzit duan të dinë më shumë ndaj po shpreh shqetësim me protesta. “Përpara se të shkohet në protesta dhe të bëhet gjithë ky debat mbi rrezikshmërinë, në radhë të parë duhet të sqarohet me një gjuhë të thjeshtë, dhe të kuptueshme nga opinioni publik nga ekspertët kimistë, ushtarakë e civilë, shqiptarë e të huaj, të tregojnë se çfarë përmban procesi i shkatërrimit; çfarë lëndësh janë, si zbërthehen këto lëndë, cili është rreziku, a janë të shkatërrueshme plotësisht apo jo. Për këtë gjë dëgjohen copëza të vërtetash, këtu atje, jashtë brenda, copëza nga interneti... askush nuk di” - tha ai.

Zoti Starova ka qenë ministër i jashtëm dhe zëvendës ministër i mbrojtjes dhe thekson se armët kimike të Sirisë duhen shkatërruar dhe janë të shkatërrueshme, por pse në Shqipëri, këtu mungon transparenca teknike dhe qeveria duhet të qartësojë publikun nëse ka marrë ndonjë vendim apo jo dhe mos t'i lërë njerëzit të presin në tubime. Ai thotë se shkenca ka përparuar shumë dhe Shqipëria mund të marrë pjesë me sukses në operacionet kundër armëve kimike, dhe e ka në dorë të bëjë kërkesa nga më të ndryshmet për të rritur garancinë. “Sigurisht që qeveria mund të vërë kushte: Shiko: Ne do të pranojmë, nëse..., por dua 1. parrezikshmëri, 2. mbështetje financiare, 3. ekspertizë, 4. nëse ka mbetje, të konservohen etj... një paketë kushtesh sigurisht që Shqipëria e ka në dorë ta paraqesë” - theksoi zoti Starova.

Ekspertët përmendin se jo larg por vetëm 6-7 vjet më parë SHBA ndihmoi Shqipërinë të shkatërronte lëndët helmuese luftarake, duke dhënë fondet, njerëzit dhe pajisje të posaçme, një proces që u vlerësua nga NATO si i suksesshëm, krijoi një përvojë dhe rriti sigurinë e vendit.

XS
SM
MD
LG