Lidhje

Arkeologët: Kriza ekonomike po rrezikon trashëgiminë kulurore italiane


Arkeologët: Kriza ekonomike po rrezikon trashëgiminë kulurore italiane
Arkeologët: Kriza ekonomike po rrezikon trashëgiminë kulurore italiane

Arkeologët në Itali po paralajmërojnë se monumentet e pafund të vendit janë në rrezik për shkak të shkurtimeve të shpenzimeve qeveritare. Këto shqetësime ngrihen pas rënies së një muri në qytetin antik të Pompeit.

Arkeologët e përshkruajnë Pompein si dritaren më të rëndësishme në botë që e lidh me jetën antike. Ky qytet shumë i gjalle i Perandorisë Romane, u mbulua nga metra të tërë hiri kur vullkani pranë tij, Mali Vezuv u bë aktiv në vitin 79 të erës sonë.

Gërmadhat e nëndheshme u zbuluan rastësisht 17 shekuj më pas. Shumë prej shtëpive, punishteve dhe ndërtesave publike u gjetën pothuajse të paprekura. Por ekspertët paralajmërojnë se, falë krizës ekonomike të Italisë, tani gjithçka është në rrezik.

Në fundin e muajit tetor, një pjesë prej tetë metra katrorësh e një muri rrethues u shemb pas një shiu të fortë. Një vit më parë ishte shembur edhe Shtëpia e famshme e Gladiatorëve.

Tsao Cevoli është president i Shoqatës Italiane të Arkeologëve dhe ka punuar për një kohë të gjatë në Pompei.

“Kemi patur njoftime të reja këto ditët dhe javët e fundit mbi struktura antike që janë duke u shembur në Pompei. Kjo ndodh gjithmonë kur ka mungesë fondesh”.

Presidenti italian e ka cilësuar dëmin si “fatkeqësi kombëtare”. Politikanët e opozitës ia vënë fajin qeverisë së mëparshme të zotit Silvio Berluskoni, që i shkurtoi fondet për mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore nga 30 milionë euro në 19 milionë euro.

Bashkimi Evropian po ofron ndihmë. Anëtari i Komisionit Evropian, Johannes Hahn vizitoi Pompein pak kohë pas shembjes së murit.

“Ne kemi një program veprimi për Italinë, të quajtur “Trashëgimia Kulturore” dhe një pjesë e rëndësishme e këtij fondi, 105 milionë euro, do të përdoret për të filluar punën këtu në Pompei".

Por arkeologu Tsao Cevoli thotë se ky financim me ndërprerje është mënyra e gabuar e përballjes së problemit.

“Ajo që nevojitet është e njëjta gjë si për shtëpitë tona: pra, mirëmbajtje e vazhdueshme dhe jo thjesht të kujtohemi çdo 20 apo 30 vjet për të ndërhyrë”.

Zoti Cevoli kritikon autoritetet e Pompeit për harxhimin e fondeve për reklamime dhe jo për mirëmbajtje. Nga ana e tyre, autoritetet ia venë fajin për dëmet shirave të rrëmbyeshëm në Itali.

Ato stuhi dëmtuan edhe monumente të tjera të famshme. Zona të nëndheshme të Koloseut në Romë u përmbytën dhe disa mure u dëmtuan.

Zoti Tsao Cevoli thotë se shkurtimet e shpenzimeve dhe mungesa e mirëmbajtjes po rrezikojnë shembjen e shumë monumenteve.

“Gjatë viteve të fundit është kërkuar ndihmë urgjente për tre prej monumenteve historike më të rëndësishme të Italisë: Pompei, Koloseu dhe Muzeu Ufici në Firence. Nëse këto tre monumente kaq të famshme kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, atëherë në çfarë gjendje mund të jenë të gjitha zonat e tjera arkeologjike në Itali?"

Për shkak të krizës ekonomike të Italisë, zoti Cevoli është i shqetësuar se në muajt e ardhshëm trashëgimia kulturore e vendit do të pësojë dëme edhe më të mëdha.

XS
SM
MD
LG