Lidhje

Arkiva e sigurisë kombëtare i paraqet dokumente qeveritare publikut

  • Deborah Bllok

Arkiva e sigurisë kombëtare i paraqet dokumente qeveritare publikut

Arkiva e sigurisë kombëtare i paraqet dokumente qeveritare publikut

Wikileaks ka tërhequr vëmendje të madhe me publikimin e dokumenteve sekrete të qeverisë amerikane. Por në se dikush dëshiron të njihet me shënimet mbi takimet me udhëheqësit botërorë, që janë zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, mund të lexojë e-mailet e një sekretari të kabinetit, ose të shohë fotografitë e marra nga satelitët amerikanë të survejimit, këtë mund ta bëjë në sajë të Aktit të Lirisë së Informacionit, i cili të lejon të njihesh me dokumentet qeveritare që nuk janë më sekrete. 1 milion dokumente të tilla mund t’i gjesh tani tek Arkiva e Sigurisë Kombëtare, një grup studimor privat në Washington.

Në magazinën e Arkivës së Sigurisë Kombëtare ndodhen një numër i pafund kutish të mbushura me dokumente qeveritare. Kjo është vetëm një pjesë e koleksionit të saj, dhe përveç kopjeve fizike, mijëra dokumente mund të shihen në faqen e internetit të Arkivës. Arkiva e Sigurisë Kombëtare u krijua 25 vjet më parë nga një grup gazetarësh dhe historianësh, të cilën shfrytëzuan Aktin e Lirisë së Informacionit për t’u njohur me dokumentet për të cilat kishin nevojë gjatë studimeve të tyre.

Akti u miratua nga Kongresi në vitin 1966, me synimin për t’i bërë agjencitë qeveritare amerikane më të përgjegjshme para popullit amerikan. Megjithatë, disa informacione vazhdojnë të jenë të mbrojtura, përfshi materialet që kanë të bëjnë me mbrojtjen kombëtare, ose me politikën e jashtme amerikane, sekrete të tregtisë dhe informacione të tjera konfidenciale të biznesit.

Sot, arkiva grumbullon materiale mbi një sërë çështjesh, i analizon informacionet dhe publikon libra lidhur me përfundimet e arritura. Drejtori Tom Blanton thotë se madje edhe një ish-agjent tani në pension, i ka shkruar një pjesë të kujtimeve të tij, duke përdorur informacione nga arkiva.

“Pra, kemi të bëjmë me një hibrid interesant me funksione të ndryshme, të gjitha me synimin për realizimin në praktikë të idesë së Aktit të Lirisë së Informacionit në fushën më të vështirë, në zonën më sekrete të qeverisë amerikane dhe kjo ka të bëjë me sigurinë kombëtare.

Zoti Blanton thotë se edhe kur një material nuk është më sekret, mund të jetë e vështirë t’i bësh agjencitë e zbulimit të publikojnë infromacione delikate.

"Nganjëherë kemi pritur 10-15 vjet që disa nga kërkesat tona për publikimin e dokumenteve sekrete të plotësohen, ngaqë qeveria nuk ka dashur ta bëjë një gjë të tillë".

Kjo përfshin dokumente lidhur me aktivitetet e panjohura të Agjencisë Qendore të Zbulimit, CIA-s.

"Në vitet 1970 CIA u ekspozua ngaqë ishte përfshirë në komplote për vrasje, eksperimentime kontrolli për përdorimin e drogës e shumë aktivitete të tjera të dyshimta, që ishin në kundërshtim me ligjin amerikan".

Arkiva ka grumbulluar disa miliona faqe me dokumente qeveritare, përfshi deklaratat e Shtëpisë së Bardhë, dokumentet e Kongresit dhe dëshmitë gjyqësore. Në këto tema përfshihen takimet midis presidentëve amerikanë dhe udhëheqësve të tjerë botërorë, rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe personat e akuzuar si terroristë që janë mbajtur në burgun e Guntanamos në Kubë. Zoti Blanton thotë se disa dokumente zbulojnë informacione me të vërtetë të habitshme.

"Plani i Luftës në Irak filloi me një numër informacionesh që i jepeshin Presidentit, ku dokumentohen edhe vendimet e tij lidhur me luftën, si numri i trupave që u dërguan atje dhe koha e qëndrimit. Dokumentet zbulojnë se fillimisht ishte menduar që në Irak të çoheshin vetëm 5 mijë trupa, të cilat do të qëndronin atje për rreth 2 vjet".

Zoti Blanton thotë se koleksioni i fotografive të arkivës tregon shumë. Veçanërisht popullore janë këto fotografi të legjendës së rock and rollit, Elvis Preslit, kur ai është takuar me Presidentin Richard Nixon në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1970. Fotografi të tjera nga fillimi i viteve ’60 tregojnë se gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara ishin duke u përgatitur për një përplasje të mundshme me ish Bashkimin Sovjetik.

Zoti Blanton, i cili ka qenë gazetar, mendon se një numër tepër i madh dokumentesh qeveritare janë sekrete.

"Ne jemi dakord që ka disa çështje, që vërtet duhen mbajtur sekret, si për shembull projekti i një mbushjeje bërthamore, një sistem armatimesh që do ta lejonte një terrorist të ndërtonte armë të tilla, ose t’i përdorte ato kundër nesh, pra informacione të kësaj natyre. Por, sipas mendimit tim, sot ka vetëm një numër shumë të vogël dokumentesh që mund të cilësohen sekrete".

Zoti Blanton thotë se Arkiva e Sigurisë Kombëtare synon që ta nxisë qeverinë amerikane t’i bëjë të njohura dokumentet e cilësuara sekrete, por të cilat nuk është e nevojshme të mbahen si të tilla.

XS
SM
MD
LG