Lidhje

Tirana, armë Irakut kundër ISIS


Qeveria shqiptare njoftoi të premten në mbrëmje se ka vendosur “të jetë pjesë e koalicionit për mbështetjen e Qeverisë së Irakut me armë të lehta dhe municione në luftën kundër terroristëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik”, ISIS.

Në një njoftim të shpërndarë nga qeveria saktësohet se “si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dhënë që prej orës së parë kontributin e vet në luftën kundër terrorizmit dhe ka qenë e do të jetë pjesë e koalicioneve ndërkombëtare, në Afganistan, Irak e më gjerë, bashkë me vende të tjera aleate dhe partnere”.

Qeveria shqiptare vlerëson se “praktikat barbare të ISIS dhe situata humanitare katastrofike në Irak i vë të gjithë para përgjegjësisë morale për të bërë ç’është e mundur kundër errësirës që përpiqen të sjellin mbi njerëzimin forcat e verbra të terrorizmit”.

Shqipëria ka ofruar për qeverinë e Irakut 22 milionë fishekë për kallashnikovë, 15 mijë granata dore mbrojtëse, 20 mijë copë muncione për granatahedhëse antitank, dhe 32 mijë predha për mortaja të tipeve të ndryshme.

Në njoftimin e qeverisë saktësohet se “cdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, është i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me partnerët strategjikë e aleatët në NATO e në BE”.

Një deklaratë, zëdhënësi i Pentagonit nën Admirali John Kirby falenderoi Shqipërinë, e cila, tha ai, ka rënë dakord të ndihmojë në misionin për të furnizuar forcat kurde në Irakun e veriut.

Vendimi u përshëndet menjëherë dhe nga Italia e cila do të ndihmojë në transferimin e armëve dhe municioneve. “Në kuadrin e angazhimit të përbashkët në luftën ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe në bashkëpunim me Shtetet e përfshira në këtë operacion, pala italiane i garanton Autoriteteve shqiptare mbështetjen e dakordësuar duke ofruar suportin logjistik të nevojshëm për transferimin e armëve dhe municioneve”, thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga ambasada italiane në Tiranë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG