Lidhje

Trupat siriane sulmojnë lagjet në periferi të Damaskut

  • Zëri Amerikës

Aktivistë sirianë thonë se ushtarë qeveritarë të mbështetur nga tanke vranë 3 veta afër Damaskut, ndërkohë që i dërguari ndërkombëtar Kofi Annan e cilësoi vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dërguar 300 vëzhgues armëpushimi në Siri si një "moment shumë të rëndësishëm" për atë vend.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani njoftoi sot për zjarr të rëndë artilerie, ndërsa forcat besnike të presidentit sirian Bashar al-Assad sulmuan lagjen Douma të Damaskut.

Aktivistë të opozitës thanë se edhe qyteti i Homs përjetoi sot një ditë tjetër bombardimesh të rënda pas një ndalimi të përkohshëm dje kur një ekip i vogël vëzhguesish të Kombeve të Bashkuara vizituan atë qytet. Dy vëzhgues e kaluan natën në Homs.

Zëri i Amerikës nuk mund të vërtetonte në mënyrë të pavarur njoftimet për dhumë dhe viktima pasi qeveria ka kufizuar së tepërmi hyrjen në vend të gazetarëve ndërkombëtarë.

Në Gjenevë, zoti Annan i bëri thirrje si qeverisë edhe luftëtarëve të opozitës që të lenë mënjanë armët dhe të bashkëpunojnë me vëzhguesit për të konsoliduar një armëpushim të brishtë, që hyri në fuqi para 10 ditësh.

Ai tha se forcat qeveritare në veçanti "duhet të heqin dorë nga përdorimi i armëve të rënda, t’i tërheqin ato nga qendrat e populluara dhe të zbatojnë plotësisht angazhimet e tyre në bazë të planit të paqes'' i pranuar nga të dyja palët për t’i dhënë fund dhunës 13 mujore.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara autorizoi dje dërgimin e deri 300 vëzhguesve të paarmatosur në Siri, ku dhuna e përgjakshme ka minuar armëpushimin mes qeverisë dhe forcave të opozitës.

Këshilli e miratoi njëzëri rezolutën, duke autorizuar misionin vëzhgues, fillimisht për një periudhë 90 ditëshe.

Rezoluta i jep Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon autoritetin që të bëjë një analizë të situatës për të vendosur nëse kushtet e sigurisë e lejojnë dislokimin e vëzhguesve. Vlerësimi i tij do të bazohet tek zhvillimet në Siri që përfshijnë edhe ndërprerjen e dhunës. Zoti Ban e përshëndeti votimin.

XS
SM
MD
LG