Lidhje

Ndikimi i mundshëm i krizës së Ukrainës tek përhapja bërthamore


Senatorët amerikanë që po diskutojnë për ndihmën ndaj Ukrainës, thonë se aneksimi i Krimesë nga Rusia, disa dekada pasi Kievi dorëzoi arsenalin e vet bërthamor, mund të dobësojë përpjekjet për frenimin e përhapjes bërthamorë në botë. Ky debat bëhet në kuadrin e alternativave për një reagim sa më të fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë.

Në vitin 1994, fuqitë botërore, përfshirë Rusinë u zotuan të ruajnë tërësinë territoriale të Ukrainës në këmbim të dorëzimit të rezervave të treta më të mëdha të botës me armë bërthamore.

Senatori demokrat Richard Durbin thotë se Rusia e ka shkelur këtë premtim.

“Rusia jo vetëm që e ka shkelur premtimin, por ka ndërhyrë në territorin e Ukrainës. Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me mbijetesën e qeverisë ukrainase, por edhe me pyetjen nëse vendet e civilizuara në gjithë botën që po përpiqen të zbusin kërcënimin e armëve bërthamore, do të flasin me një zë për t’i ndëshkuar rusët për veprimet e tyre”.

Senatoti Durbin tha se vendet që duan të bëhen fuqi bërthëmore ose të zgjerojnë arsenalin e tyre, po ndjekin zhvillimet në Ukrainë dhe po nxjerrin përfundime të rrezikshme. Senatori republikan Marco Rubio është i të njëjtit mendim.

“Vërë veten në pozitën e njërit nga vendet që ndjehen të kërcënuar nga fqinjët. Dhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të botës thonë: ‘Koreja e Jugut nuk duhet të prodhojë armë bërthamorë; Japonia nuk duhet të prodhojë armë bërthamore; Arabia Saudite nuk duhet të prodhojë armë bërthamore. Ne do t’i mbrojmë’. Çfarë mësimi nxjerrin ata nga rasti i Ukrainës?”

Senatori Rubio tha se aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe ekspansioni i saj i mundshëm edhe më tej në territorin e Ukrainës, do të ngjallë dyshim tek vendet në gjithë botën për premtimet e sigurisë që u janë bërë dhe ata mund të arrijnë në përfundimin se edhe ata ose duhet të zhvillojnë, ose duhet të mos heqin dorë nga armët bërthamore, nëse duan që të ruajnë sigurinë e tyre.

Analisti Anthony Cordesman i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare nuk mendon se përvoja e Ukrainës do të luajë rol në vendimet e qeverive të tjera.

“Mendoj se ata i arrijnë përfundimet duke u nisur nga kërcënimet lokale dhe jo nga rasti i Ukrainës. Izraeli, Pakistani, India dhe Koreja e Veriut nuk do të heqin dorë nga armët e tyre dhe vendet që mund të sigurojnë armë bërthamorë apo po përpiqen për një gjë të tillë, si Irani, do t’i marrin vendimet mbështetur në kriteret e tyre”.

Megjithatë në Kongres, shumë senatorë paralajmërojnë për rreziqet e mundshme, nëse vende të ekspozuara ndaj kërcënimeve arrijnë në përfundimin se fuqitë botërore ose nuk munden ose nuk kanë vullnetin që t’i mbrojnë. Disa e cilësojnë reagimin e administratës së Presidentit Obama ndaj veprimeve ruse si të pamjaftueshëm dhe po kërkojnë ndihmë ushtarake për Ukrainën, si edhe po sugjerojnë që Shtetet e Bashkuara të eksportojnë gaz natyror në Evropë, për të pakësuar varësinë e rajonit tek energjia ruse.

Projekt-ligji që po debaton senati do t’i jepte garanci për hua Ukrainës, do të parashikonte masa ndëshkuese kundër zyrtarëve rusë, si edhe përdorimin e kontributeve amerikane ndaj FMN-së në mënyrë të tillë që t’i jepen hua shtesë Kievit. Projekt-ligji që pritet të miratohet këtë javë, do të duhet të përputhet me një variant të Dhomës së Përfaqësuesve.
XS
SM
MD
LG