Lidhje

Raporti i OKB-së për armët kimike në Siri


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon do të informojë sot Kombet e Bashkuara mbi të dhënat që grumbulluan inspektorët e armëve kimike gjatë procesit hetimor në Siri. Ekipi mori mostra dheu nga lagjet periferike të Damaskut si dhe mostra gjaku nga viktimat civile të sulmit të muajit të kaluar. Misioni i ekipit nuk ishte për të identifikuar autorët e sulmit, por për të konfirmuar se ka pasur sulm me armë kimike. Por Shtetet e Bashkuara thotë se nuk ka asnjë dyshim që përgjegjëse për sulmin ishte ushtria e Assadit. Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se kërcënimi i forcës kundër Sirisë është real nëse nuk përmbush marrëveshjen për të pastruar vendin nga armët kimike.

Po çfarë pritet të jetë përfshirë në këtë raport dhe çfarë ndikimi do të ketë ai?

Imazhet pas sulmit që dyshohet se është kryer me armë kimike janë tronditëse, fëmijë që vuajnë dhe trupa të shtrirë për tokë.

Tani që inspektorët e Kombeve të Bashkuara kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur të dhëna, Sekretari i Përgjithshëm i Ban Ki-Moon thotë se të dhënat ka të ngjarë të mos lënë dyshime.

“Besoj se raporti do të ketë mjaft të dhëna se armët kimike janë përdorur”.

Sekretari i Përgjithshëm vuri gjithashtu në shënjestër Presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad.

"Ai ka kryer shumë krime kundër njerëzimit. Prandaj jam i sigurt se do të ketë një proces përgjegjshmërie kur gjithçka të marrë fund”.

Por si ndikojnë këta faktorë në luftën civile që u ka kushtuar jetën më shumë se 100 mijë vetëve është e paqartë, veçanërisht meqë raporti nuk vetë nuk përcakton fajtorët.

Mark Fitzpatrick i Institutit për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë:

“Rusia do të vazhdojë të mohojë se qeveria siriane është ajo që ka përdorur armët kimike, ndësa Shtetetet e Bashkuara,Britania e Madhe dhe Franca do të këmbëngulin në të kundërtën. Pikërisht kjo do të kërkojë një rezolutë të qartë nga OKB-ja me fuqi detyruese”.

Ndërkohë, Presidenti sirian Bashar al-Assad ka vazhduar sulmet verbale publike, duke u paraqitur në televizionin rus, ku mohoi se Siria ka përdorur armë kimike dhe duke hedhur poshtë kërcënimet amerikane për ndërhyrje ushtarake.

Ambasadori i Sirisë në OKB u shpreh me shumë besim:.

"Ne nuk kemi gjë për të fshehur. Përkundrazi, ne po presim raportin e plotë të ekipit të inspektorëve”.

Por me acarimin e konfliktit, Murhaf Jouejati, ish anëtar i Këshillit Kombëtar Sirian të kryengritësve, beson se raporti i OKB-së do të bindë më në fund shumë njerës në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë që të angazhohen.

"Mendoj se ato grupe të pavendusura të popullatës do të ndryshojnë mendim dhe t’u kërkojnë apo nxisin autoritetet në Shtetet e Bashkuara si edhe në Britaninë e Madhe të argumentojnë përdorimin e forcës në Siri”.

Tani për tani fati i sirianëve po lihet në dorën e diplomatëve për zhdukjen e armëve kimike në Siri dhe në një farë mënyre t’i detyrojnë palët të ulin armët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG