Lidhje

Amb. Arvizu për asgjësimin e armëve kimike


Gjatë një vizite që zhvilloi sot në mesditë në qytetin e Shkodrës, ambasadori i SHBA, Alesandër Arvizu, ju përgjigj interesimit të mediave rreth njoftimeve të përhapura ditët e fundit në mediat ndërkombetare mbi mundësinë e asgjësimit në territorin e Shqipërisë të armëve kimike të Sirisë.

Ambasadori Arvizu pohoi se SHBA po shikon tek të gjithë partnerët e përgjegjshëm ndërkombëtarë, në mënyrë që të kontribuojnë në asgjësimin e programit të armëve kimike të Sirisë.

Së pari, tha ambasadori Arvizu, më lejoni të them që SHBA janë shumë vlerësuese dhe mirënjohëse për pozitën e fortë që ka marrë qeveria e Shqipërisë për Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, numër 2218, dhe për programin e eleminimit të armëve kimike të Sirisë.

Ju përket të gjitha kombeve përgjegjëse, sigurisht në këtë grup përfshij edhe SHBA dhe Shqipërinë, për të gjetur rrugë efektive dhe brenda kohës, në mënyrë bashkëpunuese, për të eleminuar kërcënimin, i cili krijohet nga programi i armëve kimike të Sirisë.

Duke punuar së bashku me Shqipërinë dhe me partnerët e tjerë të përgjegjshëm, ne po shohim tek të gjithë, të gjithë partnerët ndërkombëtar të përgjegjshëm, në mënyrë që të gjejmë mënyrat për të kontribuar, qoftë kjo në formë të paisjeve të specializuara, përsonelit të trajnuar, ekspertizës, me asistencë financiare ose me burime. Të gjitha këto për t’u marrë me këtë kërcënim ndërkombëtar, që shkaktohet nga programi i armëve kimike të Sirisë.

Deri tani, qeveria shqiptare nuk ka dhënë ndonjë njoftim mbi mundësinë e përdorimit të territorit të Shqipërisë për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë.

Ditët e fundit ka pasur shumë zëra në Shqipëri që janë shprehur kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në territorin e Shqipërisë.

Ndërkohë, sot në Tiranë, shoqëria civile protestoi kundër mundësisë së asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri, duke kërkuar transparencë të plotë nga qeveria shqiptare për këtë çështje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG