Lidhje

Debati për kontrollin e armëve


Vrasjet masive të javës së kaluar në një kolegj të Oregonit kanë rigjallëruar çështjen politike polarizuese të dhunës nga armët në Shtetet e Bashkuara. Debati do të jetë i ashpër në Kongres, sepse disa ligjvënës që do të synojnë të ulin shifrat e vdekshmërisë nga armët e zjarrit në SHBA, që mbajnë rekord në këtë aspekt ndër vendet e zhvilluara.

Tronditje dhe pikëllim i madh në Oregon.

“Nuk di çfarë ndjej tani. Jam e tmerruar. Nuk dua të kthehem aty për një kohë të gjatë.”

Kjo vjen pas vrasjeve massive disa muaj më parë në një kishë në Karolinën e Jugut dhe gati tre vjet pas asaj në shkollën fillore në Kënektikat.

Presidenti Obama e shprehu dukshëm zemërimin.

“Është zgjedhja jonë politike, e cila lejon që ngjarje të tilla të ndodhin çdo pak muaj në Amerikë. Të gjithë ne jemi përgjegjës për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre për shkak të mosveprimeve tona.”

Ata që garojnë për postin e zotit Obama po ngrenë zërin.

“E di se ka një mënyrë për të zbatuar masa të forta për kontrollin e armëve që do të ndihmojnë në parandalimin e dhunës, parandalimin e rënies së tyre në duart të gabuara për të shpëtuar jetë.”

Një pretendent republikan e kritikoi presidentin.

“Ai menjëherë shfrytëzoi rastin dhe u përpoq ta politizonte këtë tragjedi dhe jo duke vënë në shënjestër kriminelët. Në fakt, presidenti përpiqet t’u heqë të drejtat kushtetuese qytetarëve që respektojnë ligjin."

Një tjetër vë pikëpyetje për nevojën për veprim.

“Gjëra ndodhin. Ka gjithmonë një krizë. Dhe impulsi është për të bërë diçka që nuk është gjithmonë gjëja e duhur.”

Në vitin 2013, një project-ligj për të kontrolluar më mirë blerësit e armëve u bllokua në senat nga mbrojtësit e të drejtës së armëmbajtjes. Kongresi i kontrolluar sot nga republikanët ka edhe më pak anëtarë të gatshëm për të shqyrtuar një legjislacion për kontrollin e armëve.

Presidenti është i palëkundur.

“Kjo nuk do të ndryshojë po qe se nuk ndryshon politika dhe mënyra e sjelljes së zyrtarëve të zgjedhur. Kështu që kryesorja që do të bëj është të flas për këtë çështje rregullisht.”

Udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve po bën thirrje për një komision të posaçëm që do të hetojë dhunën nga armët dhe do të rekomandojë zgjidhje legjislative. Ndërkohë, grupi më i madh lobist për armëmbajtjen, Shoqata Kombëtare e Armëve, nuk ka komentuar zyrtarisht për tragjedinë në Oregon apo stuhinë politike që ajo ka rindezur.

XS
SM
MD
LG