Lidhje

ARMO ndërron pronar


Kompania ARMO e përpunimit të naftës ka ndryshuar pronar ditët e para të gushtit, në përpjekje për të tejkaluar vështirësitë dhe detyrimet e shumta, që janë mbledhur, qyshkur u privatizua në favor të sipërmarrësit shqiptar Rezart Taçi. Kompania “Heaney Assets Corporation” ka blerë 80 për qind të aksioneve dhe ka marrë përsipër të gjitha detyrimet.
ARMO ndërron pronar
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:48 0:00

Këto veprime po komentohen me dyshime dhe nga pikëpamje të ndryshme në Tiranë, për shkak të rëndësisë që ka kompania në ekonominë e vendit. Ministria e ekonomisë, Tregtisë dhe energjitikës shprehu sot optimizmin e saj për futjen në koncensionin dhe aksionet e kompanisë ARMO të kompanisë “Heaney Assets Corporation”, e cila ka blerë 80 për qind të aksioneve dhe ka marrë përsipër të gjithë detyrimet e mëparshme.

Zv.ministri i ministrisë së ekonomisë, tregtisë dhe energjitikës, Eno Bozdo, thotë se veprimet kontraktuale me koncensionin janë të rregullta dhe shpresëdhënëse, në përputhje me ligjin dhe kanë të bëjnë me veprime të mirëfillta tregtare mbi aksionet.

Zv.ministri Bozdo thotë se kompania ARMO është kontrolluar rregullisht nga qeveria, për mungesën e investimeve do të merren të gjitha penalitetet përmes ballafaqimit gjyqësor, dhe se kompania e re azere ka njohur dhe ka marrë përsipër të gjitha këto detyrime. Ai thotë se natyrisht me ligj qeveria ka detyrën që të informohet dhe të japë miratim për këto veprime, kur sheh se ato e shëndoshin kompaninë.

Lidhur me privatizimin e Albpetrolit, zoti Bozdo thotë se beson që shpejt do të merren 10 për qind e ofertës, ose 85 milionë dollarë për shkak të mosrealizimit të privatizimit, ndërsa për privatizimin e mëtejshëm vendi do të ketë një qeveri të re, e cila duhet të marrë vendime të rëndësishme. Kompania Armo me dy rafineri përpunimi për naftën u bllokua nga zyra e tatimeve muajin e kaluar për shkak të detyrimeve.

Kompania u privatizua në vitin 2008 dhe qysh atëherë pati gjithmonë dyshime mbi mënyrën e funksionimit të saj, mbi fitimet dhe qarkullimin e të ardhurave dhe të naftës që prodhonte. Nga ana tjetër, Gjergj Buxhuku, studiues i ekonomisë dhe përfaqësues i organizatës Konfindustria thotë se privatizimi i ARMO-s dështoi dhe kjo solli dëme të jashtëzakonshme në ekonominë shqiptare. “Privatizimi i kompanisë ARMO është një nga proceset më të dështuara në historinë ekonomike të Shqipërisë pas viteve 90. kemi të bëjmë me naftën dhe karburantet që zënë 10-12 për qind të prodhimit të brendshëm kombëtar, me një xhiro vjetore 1 miliardë euro” - tha ai.

Zoti Buxhuku shtoi se Shqipëria është vendi i vetëm prodhues nafte në Europën Juglindore, prodhues i rëndësishëm dhe me perspektivë për të gjetur rezerva të mëdha, por për paradoks eksporton sasi të mëdha nafte të papërpunuar dhe importon nga jashtë të gjithë karburantet që nevojiten për automjetet dhe industritë.

Sipas tij, rruga më e mirë do të ishte privatizim përmes tregut të kapitaleve që sot mungon në Shqipëri, dhe që do të bënte pronarë me aksione mijëra qytetarë, ku shteti të mbajë një paketë kontrolluese simbolike. Kompania ARMO tashmë ka ndryshuar pronar dhe administrator, ndërsa problemet në sektorin e naftës shqiptare janë po aty.

Qeveria e re e të majtëve pritet të nisë nga puna në shtator dhe është shprehur se ka një koncept të ri mbi privatizimet strategjike, se do të rishikojë, e do të rivlerësojë shumë nga kontratat dhe koncensionet e deritanishme.
XS
SM
MD
LG