Lidhje

Çështja e dopingut ndaj çiklistit Armstrong

  • Chris Simkins

Organizata Ndërkombëtare e Çiklizmit nuk ka vendosur ende nëse do të ratifikojë apo jo vendimin e Agjencisë amerikane të Anti-Dopingut për t’i hequr sportistit Lance Armstrong shtatë titujt e tij të Turit të Francës. Ditët e fundit agjencia publikoi një raport të detajuar, në të cilin amerikani Armstrong akuzohej jo vetëm për përdorim të substancave të ndaluara, por edhe për ndihmë dhënë çiklistëve të tjerë për t’i përdorur ato.

Çështja e ngritur nga Agjencia e Anti-Dopingut e SHBA-së kundër Lance Armstrongut paraqet imazhin e një ylli të çiklizmit i cili për të fituar përdor substanca të ndaluara si dhe ushtron presion mbi shokët e skuadrës që edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë. Travis Tygard është drejtor i agjencisë rregullatore.

"Historitë e tyre janë të trishtuara, por tepër të fuqishme."

Në një raport të gjatë prej 200-faqesh, mbi 10 anëtarë të skuadrës së Armstrong-ut dëshmuan se ai ushtroi presion ndaj tyre për të marrë pjesë në një program dopingu, dhe treguan gjerësisht rreth përdorimit të substancave prej tij gjatë garave të disa prej shtatë titujve të Turit të Francës të fituara.

Provat tregojnë se Lance Armstrong, udhëheqës fitimtar i dy ekipeve të ndryshme çiklizmi midis viteve 1999 dhe 2005, ka përdorur taktika të shumta dopingu, duke përfshirë transfuzion gjaku si dhe injeksione testosteroni për të rritur qëndrueshmërinë e tij dhe të kolegëve të skuadrës gjatë garave.

"Paraqitet një rrejt i pamohueshëm, për fat të keq, i programit më të profesionalizuar dhe më të sofistikuar që kemi parë ndonjëherë të përdoret nga skuadrat."

Lance Armstrong, i cili i mbijetoi kancerit dhe iu rikthye çiklizmit duke arritur majat në këtë sport, thotë se nuk ka përdorur kurrë substanca të paligjshme për përmirësimin e rezultateve. Çiklisti 41-vjeçar ka kryer më shumë se 500 teste dhe asnjëherë nuk i janë gjetur shenja të marrjes së këtyre substancave. Sean Breen është avokat i zotit Armstrong.

"Ashtu siç e ka thënë dhe vetë ai, kur vendosi se nuk do të merrej më me këtë gjykatë qesharake, kjo duhet të përfundojë, dhe unë nuk pres që ai të përpiqet të kundërshtojë më tej këtë raport të njëanshëm."

Për momentin, Agjencia e Anti-Dopingut ka urdhëruar për Armstrongun një ndalim të përhershëm për konkurim në gara çiklizmi profesional apo tregarësha. Në muajin gusht, ndërsa konkurronte në një garë lokale – e papërfshirë në ndalim – Armstrong u shfaq indiferent ndaj masës ndaluese dhe dëshmive se ai përdorte substanca të palejuara.

"Askush nuk duhet të trishtohet për mua. Do të jem shumë mirë. Ndihem më i qetë se sa kam qenë në 10 vjet."

Analistë të çiklizmit thonë se provat e reja në rastin e dopingut të zotit Armstrong janë një tjetër goditje dërrmuese ndaj reputacionit të tij dhe ndaj sportit të çiklizmit, që po paraqet një kulturë përdorimi të substancave të ndaluara. Disa çiklistë të rinj profesionistë, si Benjamin King, po përpiqen të jenë optimistë, duke thënë se masat e anti-dopingut janë përmirësuar.

"Mendoj se çdo përpjekje për të përmirësuar sportin është e mirë. Dopingu është një gjë e tmerrshme, dhe në qoftë se ata janë duke ndihmuar në rritjen e cilësisë së garave për të gjithë ne, do të mbështesja patjetër këto përpjekje. Por mendoj se kohët kanë ndryshuar."

Analistët thonë se tani karriera profesionale e Lance Armstrongut ka përfunduar. Njeriu, që shumë e konsiderojnë si çiklisti më i suksesshëm në botë, tani do të konkurrojë vetëm në garat e pandaluara – siç thotë ai – vetëm për të qëndruar në formë të mirë fizike.

XS
SM
MD
LG