Lidhje

Ndalohet i dyshuari për minat me telekomandë


Është ndaluar sot përsoni i dyshuar si përgatitës i minave të telekomanduara nga distanca, mina që u sekuestruan në Shkodër nga policia gjatë operacionit të koduar me emrin "Porosia", zhvilluar më 26 mars të këtij viti.

Policia e Shkodrës bëri të ditur se ka ndaluar 45 vjeçarin Nadir Shiroku, banues në fshatin Juban, rreth 10 kilometër larg qytetit të Shkodrës, si përsonin e dyshuar për përgatitjen e minave të telekomanduara. Sipas burimeve policore, 45 vjeçari nga Jubani është person me precedentë të mëparshëm kriminal. Ai është dënuar në vitin 1996 me 18 vite burgim për vepren penale "Vjedhje me armë" dhe "Armbajtje pa leje" dhe në vitin 2013 me 8 muaj burg për veprën penale "Përkrahje e autorit të krimit".

Gjatë arrestimit, policia sekuestroi në banesën e të dyshuarit një numër materialesh, që mendohet se përdoreshin prej tij për përgatitjen e minave të telekomanduara.

Në fund të muajit mars, specialistët e Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të tre shtetasve dhe sekuestruan 6 mina me telekomandë. Operacioni « Porosia » u zhvillua në hyrje të qytetit të Shkodrës në momentin që porositësit ishin bërë gati për të marrë në dorëzim minat me telekomandë.

Deri tani, as organi i akuzës dhe as policia nuk kanë bërë të ditur ndonjë të dhënë në lidhje me destinacionin e 6 minave me telekomandë. Gjatë dy viteve të fundit, në disa qytete të Shqipërisë ka patur një numër atetentatesh të realizuara me mina të telekomanduara.

XS
SM
MD
LG