Lidhje

Kërkohet arrestimi i deputetëve Doshi e Frroku


.Prokuroria e Përgjithshme kërkon autorizimin nga parlamenti: Deklarimet për skenar vrasjesh, ngjarje e inskenuar. Basha: Ajo që ka ndodhur është ajo që porositi Rama, Meta e Tahiri. Një mbyllje të shpejtë të ngjarjes

Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri njoftoi sot se i ka kërkuar parlamentit autorizimin për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Sipas njoftimit “dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”. Kërkesa vjen pas hetimeve intensive të cilat nisën menjëherë pas deklarimeve publike të deputetit Tom Doshi, se kishte patur një skenar për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi, dhe se pas këtij plani qëndronte kryetari i parlamentit Ilir Meta.

Ceshtja Doshi, Prokuroria kerkon arrestin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

E vënë në lëvizje vetëm pasi deputeti Tom Doshi bëri publik, planin që sipas tij, ishte përgatitur për ta vrarë së bashku me deputetin demokrat Mhill Fufi, duke akuzuar se pas këtij skenari qëndronte kryetari i parlamentit Ilir Meta, Prokuroria shqiptare u angazhua në një hetim intensiv të këtij rasti. Ndërsa në arrest përfundoi Durim Bami, personi që sipas deputetit Doshi ishte ngarkuar të kryente atentatin, vetë zoti Doshi dhe një numër i pazakontë politikanësh të nivelit më të lartë, u thirën për të dhënë deklarimet e tyre. Deputeti Doshi ka marrë pjesë në 8 seanca pyetjesh e ballafaqimesh, gjatë të cilave duket se nuk ka bindur prokurorët e cështjes, madje tanimë, është vënë në pozitat e një të akuzuari.

Sot Prokurori i përgjithshëm Adriatik Lalla ka firmosur kërkesën drejtuar parlamentit për të marrë autorizimin për arrestimin e tij dhe të deputetit tjetër Mark Frroku. Ky i fundit, kishte qenë, sipas deklarimeve të mikut të tij Doshi, personi i cili i pari e kishte sinjalizuar për planin e dyshuara të atentatit. Por deputeti Frroku e ka mohuar një variant të tillë në mënyrë të prerë. Tani që të dy, dyshohen sipas prokurorisë “për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”.

Prokuroria shpjegon në njoftimin e saj se “nga tërësia e veprimeve hetimore, krijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit Doshit, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar. Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë. Nga ana tjetër, organi procedues, në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami”.

Të dy deputetët nuk kanë pranuar të bëjnë komente, duke u shprehur se presin të njihen fillimisht me kërkesën zyrtare. “Jam shumë i qetë. Vazhdoj jetën time private dhe politike”, u deklaroi gazetarëve zoti Frroku.

Sipas rregullores, për kërkesën e Prokurorisë, kryetari i parlamentit duhet të thërrasë Këshillin e legjislacionit dhe imuniteteve, i cili më pas i përcjellë seancës vendimin e tij mbi kërkesën. Parlamenti mund të thirret dhe në një seancë të posacme për të votuar. Duke parë rrjedhën e ngjarjes e cila trazoi jo pak ujërat aspak të qetë të politikës shqiptare, nuk parashikohet që parlamenti të kundërshtojë apo të bllokojë dhënien e autorizimit për arrestimin e dy deputetëve. Shumica e majtë, pjesë e së cilës është deputeti Frroku por deri para pak më shumë se dy javësh dhe deputeti Doshi, e ka cilësuar si një shfaqje të shëmtuar të gjithë këtë histori. Autoritetet u vunë nën akuzë nga opozita se përse nuk kishin vepruar që 6 muaj më parë kur zoti Doshi u kishte denoncuar planin e supozuar për vrasjen e tij, dhe prej dy javësh e djathta po kërkon me ngulm dhe dorëheqjen e kryetarit të parlamentit Meta, duke shprehur haptazi skepticizmin për mundësinë e një hetimi të plotë nga prokuroria sipas saj.

Këtë qëndrim e rikonfirmoi edhe në mbrëmje kryetari i opozitës Lulzim Basha ndërsa komentoi vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm. “Për ne ky nuk vjen si një hap i papritur. Kemi paralajmëruar që në ditën e parë se me Ilir Metën kryetar të parlamentit e vërteta nuk ka asnjë shans. Drejtësia shqiptare dhe prokuoria nuk kanë asnjë mundësi të zbardhin të vërtetën. As unë dhe besoj asnjë shqiptar nuk beson se e vërteta mund të dalë në dritë ndërkohë që i akuzuari kryesor vazhdon të ushtrojë pushtetin e numrit dy në vend. Prandaj nga kjo pikëpamje ajo që ka ndodhur është ajo që porositi kryeministri Rama, zoti Meta, që paralajmëroi Saimir Tahiri. Një mbyllje të shpejtë. Pyetjet mbeten. Nëse Rama Tahiri Meta e dinin këtë para 6 muajsh, pse nuk e bënë këtë para 6 muajsh? Pse nuk e kërkuan transparencën para 6 muajsh dhe cështja do të mbyllej. Ka shumë Pse. Veprimi i sotëm vetëm i shton Pse-të”, deklaroi zoti Basha.

XS
SM
MD
LG