Lidhje

Arrestime të shumta për marijuanën në Shqipëri


Përpunimi i sasive të marijuanës që u kultivua këtë vit në zona të ndryshme të Shqipërisë po përfshin dhjetëra persona. Operacionet policore po zbulojnë në zonat e banura dhe zona të thella malore mjedise të magazinimit dhe punëtorë që përpunojnë bimët e thara të marijuanës.

Policia njoftoi të hënën se gjatë një operacioni të zhvilluar në një zonë rurale të Mallkastrës u bllokua 380 kilogramë marijuanë dhe u arrestuan 11 persona nga Fieri, Vlora,Mallakastra dhe madje edhe Ksamili, një qytezë e vogël në bregdetin jugor të Shqipërisë. Mes të arrestuarve policia tha se gjeti në mjediset e përpunimit edhe dy gra dhe shpalli në kërkim edhe persona të moshuar, që dyshohen se kanë vënë banesat në shërbim të magazinimit të lëndës narkotike.

Policia nuk ka dhënë hollësi se ku ishte kultivuar bima narkotike që po përpunohej. Policia shqiptare nisi të premten një operacion në disa qarqe të vendit ndaj narkotrafikut duke angazhuar rrreth 300 forca mes të cilave edhe një repart special policor. Mbi 2 tonë marijuanë janë shkatërruar, dhjetëra persona janë përfshirë në hetime dhe arrestime dhe janë sekuestruar armë e municione që shërbenin për ruajtjen e drogës.

Arrestime për marijuanën janë njoftuar edhe në kufirin greko- shqiptar nga polica greke.Pas bllokimit në fundjavë të 175 kilogramëve marijuanë dhe arrestimit të një 44 vjeçari nga Saranda, policia greke tha se arrestoi edhe tre të rinj të tjerë shqiptarë që kishin transportuar lëndën narkotike nga kufiri shqiptar dhe më pas droga ishte ngarkuar në autoveturë në anën greke.

Ndërkohë policia italiane njoftoi të hënën se një tjetër sasi e madhe kokaine e pastër, me prejardhje nga Brazili dhe destinacion Durrësin është kapur nga forcat e “Rojës Bregdetare ”- në portin Gioia Tauro në brigjet italiane. Sipas burimeve zyrtare policore italiane droga ishte ndarë në 17 pako dhe peshonte 19 kg. Sipas përllogaritjeve të Rojës Bregdetare nëse sasia e kokainës do të shitej në tregun italian do të kapte një vlerë prej afro 4 milionë eurosh.

Burimet italiane thanë se sasia e kokainës u zbulua brenda një kontenieri që transportonte pula të ngrira, i cili vinte nga Paranagua e Brazilit dhe do të shkarkohej në Durrës.

XS
SM
MD
LG