Lidhje

Policia serbe arreston tetë shqiptarë në Luginën e Preshevës

  • Leonat Shehu

Autoritetet e policisë së Serbisë thanë se kanë arrestuar tetë shqiptarë, pesë nga të cilët nën dyshimet për siç thuhet, krime lufte kundër popullsisë civile. Arrestimet janë kryer në fshatrat Tërnovc i Madh e Breznicë të komunës së Bujanocit, një nga tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Ministri i brendshëm serb Ivica Daçiç, u tha mjeteve serbe të informimit se operacioni i arrestimeve është urdhëruar në bazë të kërkesës së Prokurorit serb për krime të luftës Vladimir Vukçeviç, i cili ndërkaq nuk deshi të shpalosë më shumë hollësi.

“Nuk do të flisja tani për hollësi, por pesë nga shqiptarët e arrestuar, dyshohen për krime gjatë luftës së vitit 2001 në Serbinë jugore” tha ai duke ju referuar luftës në Luginën e Preshevës, ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, e cila përfundoi më maj të vitit 2001 me ndërhyrjen e perëndimit.

Marrëveshja që i dha fund luftës parashihte edhe amnistinë për ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Nën dyshimet për krime janë arrestuar Elhami Salihu, Mustafa Limani, Sherif Abdiri, Nedir Sefedini i Sevdai Emurllahu, ndërsa Blerim Duraku nga fshati Breznicë është arrestuar për armëmbajtje pa leje.

Ministri serb Ivica Daçiç tha se dy persona të tjerë janë arrestuar për pengim të operacionit. Njëri prej tyre është Izet Qazimi, vëllai i njërit prej komandantëve të kryengritësve shqiptarë Ridvan Qazimi, i njohur me emrin e luftës si komandant Lleshi, i cili qe vrarë në maj të vitit 2001. Njëri nga të arrestuarit është punonjës lokal i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Arrestimet nxitën reagimin e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cilësoi ato si veprime politike në prag të zgjedhjeve presidenciale, parlamentare e lokale të Serbisë që do të mbahen të dielën më 6 maj. Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

Riza Halimi, tha sot se arrestimet e sotme janë siç u shpreh ai “vazhdim i terrorit shtetëror” kundër komunitetit shqiptar. Ai tha se, nuk është rastësi që ministri i punëve të Brendshme Ivica Daçiç, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë që ishte themeluar nga ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç, ka nisur arrestimet dy ditë para zgjedhjeve të Serbisë dhe me këtë ai synon të fitojë ca vota duke luajtur me fatin e gjithë rajonit”, duke shfaqur shqetësimin se këto arrestime mund të nxisin tensione në komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Kosova reagon ndaj arrestimeve në Luginën e Preshevës

Qeveria e Kosovës dënoi arrestimet në Luginën e Preshevës duke vlerësuar se “këto veprime të vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë janë një provokim i rëndë kundër paqes dhe stabilitetit në rajon. Qytetarët shqiptarë në rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin të atakuar nga presionet e vazhdueshme të Beogradit zyrtar, përmes proceseve të montuara politike, që kanë për qëllim dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga trojet e tyre dhe krijimin e pasigurisë së përgjithshme në ato territore të banuara me shqiptarë”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Ajo thekson së “këto veprime tensionuese në prag të zgjedhjeve në Serbi janë edhe një dëshmi e qartë se Qeveria e Serbisë po vazhdon me qasjen e saj antievropiane, që është në dëm të krijimit të një rajoni të sigurt, të qetë, dhe mbi të gjitha në dëm të bashkëpunimit rajonal”.

Kundër arrestimeve reagun edhe një pjesë e partive politike. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëpërmjet një reagimi “e konsideron këtë akt të shtetit serb ndaj shqiptarëve të asaj pjese, si veprim me qëllime terrori, frikësimi dhe nxitje të shpërnguljes së shqiptarëve nga trevat e tyre, në të cilat jetuan me shekuj.

AAK e sheh, gjithashtu, këtë veprim, në koincidencë me zgjedhjet që do të mbahen në Serbi, me qëllim të promovimit të ekstremizmit dhe frymës antishqiptare në Luginë të Preshevës”.

Kjo parti u bënë thirrje Qeverisë e Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë që të veprojnë sa më shpejtë me të gjitha mjetet “për parandalimin e përndjekjes së shqiptarëve në Luginë dhe për lirimin sa më të shpejtë të tetë të arrestuarve, të cilët janë plotësisht të pafajshëm për akuzat që iu ngarkohen nga Beogradi”.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, bëri thirrje për trysni ndaj Serbisë, “që të ndalet menjëherë represioni ndaj popullatës shqiptare atje”. Në reagimin e kësaj partie kërkohet nga qeveria e Kosovës “që të ndërpresë qasjen indiferente ndaj shqiptarëve në Serbi, e të sillet si një qeveri e një shteti Sovran i cili është i obliguar që të mbrojë interesat e bashkëkombësve të vet kudo që ata janë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG