Lidhje

Stamboll, arrestohet i dyshuari për sulmin e natës së Vitit të Ri


Kryeministri turk Binali Yildirim konfirmoi se autoritetet kanë arrestuar të dyshuarin për sulmin me armë natën e Vitit të Ri në një klub të Stambollit, ku u vranë 39 persona. Abdulkadir Masharipov u arrestua të hënën gjatë një bastisjeje në lagjen Esnyurt të Stambollit. Gjatë operacionit u arrestuan edhe pesë njerëz të tjerë, përfshirë tre gra.

Kryeministri turk Yildirim tha sot se i dyshuari për sulmin e natës së Vitit të Ri në Stamboll po merret në pyetje nga policia.

"Terroristi i neveritshëm i cili sulmoi një klub nate në prag të Vitit të Ri dhe shkaktoi vdekjen e shumë njerëzve është kapur gjatë një operacioni policor dje në Stamboll. Ai tani po merret në pyetje."

Mediat turke më herët e kishin identifikuar Abdulkadir Masharipov si autor të sulmit, duke thënë se ai u arrestua të hënën në lagjen Esnyurt të Stambollit. Arrestimi u bë gjatë një bastisjeje në një shtëpi ku ai banonte me një shok nga Kirgistani. Gjatë këtij operacioni u arrestuan edhe pesë njerëz të tjerë, përfshirë tre gra.

Guvernatori i Stambollit Vasip Shahin tha sot se shenjat e gishtave të Abdulkadir Masharipovit përputheshin me ato të sulmuesit, dhe se ai ishte trajnuar në Afganistan dhe kishte hyrë në Turqi në janar 2016.

Zoti Shahin shtoi se është e qartë se sulmi u bë në emër të grupit Shtetit Islamik. Militantët kanë marrë përgjegjësi për sulmin, duke e lidhur atë me operacionet ushtarake të Turqisë kundër tyre në Siri.

Më shumë se 40 shtetas të tjerë të huaj janë arrestuar në lidhje me operacionin për kapjen e Masharipovit.

Zëvendës kryeministri turk Numan Kurtulmus përgëzoi policinë në një postim në Twitter të martën, ku thotë se lufta e Turqisë "kundër terrorizmit dhe pushtetit të tyre do të vazhdojë deri në fund."

Sulmi i natës së Vitit të Ri ishte i treti në Turqi në dy vitet e fundit i lidhur me persona nga Azia Qendrore që kanë pranuar lidhjet me ekstremistët e Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG