Lidhje

Art me automjete të deformuara

  • Peter Fedynsky

Muzeu Guggenheim në Nju Jork është kthyer në një lloj depoje mbeturinash, ndërkohë që ekspozon skulpturat e krijuara me pjesë automjetesh të artistit amerikan John Chamberlain, i ndarë nga jeta pak muaj më parë.

Ky artist ishte i njohur si një rebel i cili shndërronte automjetet në objekte që transportojnë imagjinatën.

Brenda muzeut ka dhjetra vepra të tjera abstrakte të skulptorit John Chamberlain. Ai vdiq në muajin dhjetor në moshën 84 vjeçare.

Edhe pse muzeu Guggenheim nuk është një garazh, mund të thuhet se në çdo kat të hapësirës së tij në formë spiraleje ka dhjetra makina të parkuara. Skulptori Chamberlain i ka ristrukturuar automjetet në një mënyrë që i përshtatet titullit të ekspozitës: Zgjedhje.

Përgjegjësja Susan Davidson shpjegon se artisti i bashkonte materialet për të krijuar kolazhe tridimensionale.

“Ai është në gjendje të zgjedhë pozicionet e ngjyrave, përshtatjen e formave që ai përdor, tingullin e metalit kur ai bashkon pjesët.”

Ajo thotë se Chamberlain përdorte materiale të zakonshme në një mënyrë të jashtëzakonshme. Ai i krijoi këto objekte, që duken si kolltukë sfungjeri, me shkumë poliuretani.

Drejtori i muzeut Richard Armstrong thotë se arti i skulptorit Chamberlain është i veçantë.

“Ai mishëronte shpirtin e lirë që karakterizon artin e shekullit të 20-të.”

Susan Davidson thotë se Chamberlain kishte shpirtin e një rebeli amerikan, të ngjashëm me legjendën e Rock and Roll-it, Elvis Presley.

Skulpturat e Chamberlain-it janë vendosur të distancuara nga muret, që shikuesit të mund t’i shohin ato nga të gjitha anët.

Shkrimtarja Deborah Bearg shprehet se këto skulptura të bëjnë të imagjinosh një pafundësi imazhesh:

“Sa herë që ti i sheh, do të shohësh diçka ndryshe. Jam e sigurt që nëse sot eci sërish në këtë pjesë të ekspozitës, do të shoh pamje të tjera.”

Ekspozita po tërheq vizitorë nga Nju Jorku dhe nga vende të largëta.

Waynette Ballengee nga Luiziana thotë se në fillim skulpturat iu dukën si hedhurina.

Susan Davidson thotë se zoti Chamberlain i kishte treguar se sekreti i suksesit të tij artistik ishte marrëzia, duke shtuar se arti dhe kriminaliteti marrin shkas nga veçoritë e personave. Ai preferonte artin.

XS
SM
MD
LG