Lidhje

Shqipëri: Gjykata lë të lirë drejtuesin e zyrës së Interpolit


Në Shqipëri Gjykata la të lirë drejtuesin e zyrës së Interpolit Artan Bajraktari i cili u ndalua të hënën, së bashku me vartësen e tij Loreta Alla, nën dyshimet se kishin mbajtur të fshehur një urdhër kërkimi ndërkombëtar ndaj deputetit Frroku, i akuzuar për vrasje në Belgjikë

Bajraktari i shoqëruar nga forcat e policisë u paraqit sot për masën e sigurisë në gjykatë. Por kjo e fundit e konsideroi të paligjshëm urdhërin e ndalimit ndaj tij, si dhe kërkesën për pezullimin nga detyra. Ndërkohë që la me detyrim paraqitje vartësen e tij Alla.

Drejtuesi i zyrës së Interpolit rezulton të ketë ndjekur procedurën normale. Avokati i tij deklaroi pas vendimit të Gjykatës se nuk ka asgjë të paligjshme në veprimet e Bajraktarit, ndërsa foli për “paligjshmëri në disa hallka policore dhe proceduriale”.

Vendimi i sotëm i Gjykatës duket se e komplikon më tej këtë cështje, për të cilën dje dha dorëheqjen dhe drejtori i Përgjithshëm i policisë Artan Didi, i cili në deklaratën e tij, shprehej se “shefi i zyrës së Interpolit kishte kryer shkelje të procedurave ligjore”.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë demokratike, kryetari Lulzim Basha edhe sot foli për “një skandal” pas të cilit sipas tij qëndron kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. “Ikja e drejtorit Didit është rënia e një tulle në ngrehinën e madhe kriminale që është ngjizur në mëkat e në trafiqe”, u shpreh zoti Basha.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG