Lidhje

Lufta kundër bimëve narkotike


Në Shqipëri gjatë muajit gusht e në vazhdim u shtuan operacionet policore kundër bimëve narkotike.

Statistikat flasin për shtim të rezultateve, por analistët e botës kriminale flasin për një shtim akoma më të madh të kultivimit të tyre.

Studiuesit pohojnë se kultivimi i bimëve narkotike janë është shndërruar në biznes familjar nëpër fshatra dhe deri afër kryeqytetit.

Policia shqiptare ka shtuar gjatë gushtit operacionet për asgjësimin e bimëve narkotike, duke shkatërruar rreth 650 mijë bimë, kundrejt 530 mijë vitin e kaluar.

Por vëzhguesit e dukurive kriminale në vend pohojnë se kultivimi është rritur më tej në sasi dhe në shtrirje territoriale.

Ata pohojnë se pas goditjes së kultivimit të canabsit në Lazarat, bima narkotike u përhap me shpejtësi në të gjithë territorin, nga periferitë malore deri afër kryeqytetit.

Gazetari i kronikës kriminale te TV NEWS 24 Artan Hoxha thotë se sasitë e shkatërruara nga policia janë të mëdha, por edhe sasitë e paprekura janë akoma më të mëdha.

Ka disa raste, si në Temal, ku trafikantët mbjellin një parcelë të paprekshme me një mijë rrënjë dhe një parcelë të vogël me 100 rrënjë, e destinuar për ta shkatërruar policia. Drejtuesit vendorë të policisë i çojnë forcat vetëm në parcelat e vogla për të rregulluar statistikat e punës në paqe me trafikantët, thotë ai.

Analistët përshëndetin operacionet e policisë kundër canabisit, por një vit pasi u godit droga në Lazarat dhe Dukagjin, ata pohojnë se nevojitej një strategji më e mirë shumë-planëshe për veprimtarinë policore.

Eksperti ligjor, dr. Fabian Zhilla, në Institutin Kanadez të Teknologjisë, thotë se fakti që kultivimi i canabisit u shtua në sasi dhe u përhap në të gjithë territorin, duke kriminalizuar gjithë shoqërinë tregon se goditjet e mëparshme policore nuk u shoqëruan me masa sociale dhe ekonomike.

Goditja e qendrave të kanabisit si Lazarati rriti aq shumë çmimin e bimëve narkotike sa u bënë të krahsasueshme me heroinën.

Ky treg i ri kriminal i shtyu banorët të mbjellin më shumë në një territor më të përhapur, por e vështirësoi më tej punën e policisë për të kontrolluar territorin e thyer malor, banorët e varfër tundohen për të mbjellë bimën narkotike, e cila mund t'u sjellë fitime të shpejta 500 mijë deri në 1 milionë euro vetëm me një parcelë të vogël.

Zoti Hoxha thotë se trafikantë të fuqishëm janë të lidhur me drejtues të policisë dhe të administratës shtetërore, ata nuk arrestohen kurrë, investojnë në zonat e mbjella aq shumë pajisje, sa bujqit e thjeshtë nuk i bëjnë dot asnjëherë.

Studiuesit e botës kriminale tregojnë se si trafikantët shqiptarë po marrin fuqi në linjat rajonale si Italia, Maroku dhe Shqipëria duke përdorur edhe avionë të vegjël, dhe duke kompromentuar zyrtarë të lartë policie dhe ushtrie.

Dr. Zhilla thotë se i druhet shumë efektit domino të kapjes së shtetit nga njerëzit e narkotikëve, të cilët sot bashkëpunojnë me policë dhe ushtarakë, nesër me avokatë, prokurorë e gjyqtarë deri te deputetët dhe politika.

Sipas analistëve, bima narkotike nuk është detyrë vetëm e 400 policëve që shkojnë nga një mal në tjetrin, dhe se ende canabis nuk shihet si një problem kombëtar.

Ata theksojnë se Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në një hambar të canabisit për Europën, sepse kjo do ta bëjë qendër të kriminalitetit ndërkombëtar, e cila do të tërheqë gjithë njerëzit e krimit dhe paratë e krimit.

Ndaj së paku, thonë ata, të nisë koordinimi më i fortë ndër-institucional për të zbatuar strategjinë kombëtare anti-canabis deri në vitin 2020, të miratuar nga qeveria më 3 shtator.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG