Lidhje

Arti dhe ndikimi i tij pozitiv tek ekonomia


Disa komunitete në Shtetet e Bashkuara po zbulojnë se edhe kur ekonomia ndodhet në vështirësi, paratë e investuara në art sjellin fitime. Në vazhdim ju njohim me dy qyteza pranë Uashingtonit, ku shihet qartë partneriteti që ekziston mes artit dhe biznesit.

Muzika i bën disa njerëz të dalin nga zyrat me ajër të kondicionuar edhe në një ditë tepër të nxehtë në Roslin të Virxhinias, shumë pranë kryeqytetit amerikan. Koncertet falas gjatë kohës së drekës financohen nga Distrikti i Përmirësimit të Roslinit, BID. Anëtarët e tij janë pronarët që japin me qira ndërtesat e larta të zyrave. Cecilia Cassidy është drejtoreshë e BID-it.

“Është tepër e rëndësishme që kompanitë e ndryshme që marrin ndërtesat me qira të kenë mjedise që i tërheqin punonjësit”.

Artisfera është një tjetër ambjent për njerëzit që punojnë në Roslin, që u hap tetorin e kaluar. BID-i siguroi 1,2 milionë dollarë për transformimin e ndërtesës sferike, dikur Muzeu i Mediave, në një hapësirë arti, ku gjen pak nga të gjitha.

“Kemi këtu një kënd për artet vizuale, një për teatër, një për kërcime. Këtu publiku është i larmishëm, në varësi të programeve”.

Tek Artisfera visitorët jo vetëm që shijojnë artin në mënyrë passive, por në disa raste ata janë aktivë, duke krijuar vetë art. Shumë nga këto aktivitete janë falas. Investimi tek Artisfera ishte me mjaft interes për pronarët e ndërtesave të Roslinit, jo vetëm për të kënaqur punonjësit, thotë Xhejson Shubah, i Institutit Kombëtar të Arteve.

“Kompanitë duan të shkojnë atje ku ka njerëz dhe arti i lidh njerëzit me një vend. Madje arti ka treguar se nxit së tepërmi ekonominë”.

Këtë fakt e provon edhe Hajatsvilli, i Merilendit, që vitet e fundit është gjallëruar, sidomos në zonën e njohur si Distrikti i Artit. Stjuard Ajzenberg është drejtor i Korporatës së Zhvillimit të Komunitetit të Hajatsvilit, një organizatë jo-fitimiprurëse që ndihmon në rigjallërimin e qytezës.

“Para këtij zhvillimi, këtu ishte një parking bosh prej 50 hektarësh”.

Tani, megjithë rënien eknomike, këtu janë duke u ndërtuar shtëpi dhe dyqane. Janë projektuar edhe apartamente për artistët, si Karl Taker.

“Këtu ka hapësira për muzikantët, për piktorët, për aktorët, për kërcimtarët…”

Kandis Xhons kohët e fundit ka përfunduar studimet për dramaturgji në Shkollën Tish të Arteve në Nju Jork.

“Para ndërtimeve të reja këtu ishte një vend bosh. Jam e sigurt se me kalimin e kohës këtu do të ketë ambjente të tjera edhe për teatër”.

Tashmë këtu po ndërtohet një skenë. Ndërtesa më e vjetër e Hajatsvillit po transformohet në teatër. Stjuart Ajzenberg thotë se nga çdo dollar i investuar për artin, fitimi është 7 dollarë. Por ka edhe një fitim akoma më të madh.

“Jo vetëm që arti ndikon pozitivisht tek ekonomia me ngritjen e ndërtesave të reja dhe të bukura, por në afat të gjatë ai transformon realitetin ku jetojmë. Pikërisht kështu po zhvillohet një komunitet, nga një zone pa jetë, një shembull për investime”.

…Dhe ndërsa komuniteti tërheq më tepër zhvillim, zoti Ajzenberg i Korporatës së Zhvillimit thotë se këtu do të ketë gjithmonë shtëpi me çmim të përballueshëm për artistët, sepse ata janë zemra e komunitetit.

XS
SM
MD
LG