Lidhje

GNK: Veriu kërcënon qëndrueshmërinë e Kosovës dhe integrimet evropiane të Serbisë


GNK: Veriu kërcënon qëndrueshmërinë e Kosovës dhe integrimet evropiane të Serbisë

GNK: Veriu kërcënon qëndrueshmërinë e Kosovës dhe integrimet evropiane të Serbisë

Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin më të ri për Kosovën ka tërhequr vërejtjen për pasojat që mund të ketë gjendja aktuale në veri dhe për rrugët që duhet ndjekur Prishtina, Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtarë për shmangien e pasojave negative.

Në raport thuhet se situata e dhunshme në pjesën veriore të Kosovës, rrezikon ndërprerjen e bisedimeve të brishta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kërcënon qëndrueshmërinë e brendshme të Kosovës dhe procesin kandidues të Serbisë në Bashkimin Evropian. Grupi thekson se përpjekja e Prishtinës për ta kontrolluar gjithë territorin e shtetit të ri, e veçanërisht kufijtë e vet me Serbinë, dhe vendosmëria e serbëve të veriut të Kosovës për të rezistuar, mund të prodhojnë më tepër viktima.

Në raport thuhet se bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të nxisin Beogradin, që ta pranoj qeverinë në Prishtinë si të barabartë edhe pa njohje formale, por nuk duhet të pritet që kjo do ta detyrojë bashkëpunimin e serbëve lokal në veriun e Kosovës. Të gjitha palët duhet të kërkojnë rrugë për zvogëlimin e rrezikut nga konfliktet e mëtejme dhe të përqendrohen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme.

Në raport përshkruhen zhvillimet që pasuan operacionin e qeverisë së Kosovës të 25 korrikut të vitit të kaluar, për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare me Serbinë, aktet e dhunës dhe dështimin e Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në raportin 29 faqesh, Grupi Ndërkombëtarë i Krizave ka bërë thirrje për shmangie të çdo veprimi të dhunshëm në veri nga qeveria e Kosovës apo mekanizmat ndërkombëtarë. Serbëve në veri u bëhet thirrje për bashkëpunim me qeverinë e Prishtinës dhe largim të barrikadave.

Po ashtu, Grupi u rekomandon vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën të miratojnë marrëdhëniet kontraktuale me të, ndërsa vendeve si Gjermania, Holanda e Britania e Madhe, të mbështetet Serbia në përmbushjen e kushteve për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Serbia dështoi të marrë këtë status në dhjetor të vitit që lamë pas për shkak të situatës në veri ku përfaqësuesit lokal politikë kanë paralajmëruar për mesin e shkurtit një referendum në të cilin qytetarët e atjeshëm do të deklaroheshin nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Prishtinës. Ky referendum i cili cilësohet i paligjshëm e i pavlefshëm nga Prishtina, është kundërshtuar edhe nga pushteti në Beograd, por mbështetet nga opozita në Serbi.

XS
SM
MD
LG