Lidhje

Lëvizja "Vetëvendosje" zhvillon protestë kundër vizitës së presidentit serb


Lëvizja "Vetëvendosje" zhvillon protestë kundër vizitës së presidentit serb

Lëvizja "Vetëvendosje" zhvillon protestë kundër vizitës së presidentit serb

Në Kosovë, lëvizja Vetëvendosje dhe disa organizata joqeveritare organizuan protesta kundër vizitës së presidentit të Serbisë Boris Tadiç, i cili po qëndron atje me rastin e kremtimit të Krishtlindjeve ortodokse. Në orët e mbrëmjes protestuesit hodhën gurë mbi autokolonën me të cilën presidenti serb arriti në manastirin mesjetar të Deçanit në Kosovën perëndimore. Veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje, thanë se 20 pjesëtarë të kësaj lëvizjeje kanë kërkuar ndihmën e mjekut pas ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë protestuesit.

Policia tha se ka mbajtur të ndaluar për disa orë të paktën 13 pjesëtarë të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kishin provuar të bllokojnë rrugën që çon nga Prishtina në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Protesta gjatë ditës janë mbajtur edhe në Pejë e Deçan ku ndodhen dy nga objektet më të rëndësishme ortodokse, ku sonte dhe nesër do të qëndrojë presidenti serb Boris Tadiç dhe delegacioni i tij në të cilin bëjnë pjesë edhe ambasadorët e Rusisë dhe Bjellorusisë. Protestuesit nuk kanë lejuar lëvizjen e automjeteve që mbanin targa të regjistrimit të Serbisë, ndërsa akuzuan presidentin serb Boris Tadiç se ka një qasje të njëjtë ndaj Kosovës sikurse edhe ish presidenti serb Sllobodan Milloshevic. Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës janë angazhuar në ruajtjen e sigurisë, ndërsa policia e EULEX-it dhe forcat e KFOR-it janë përfshirë në sigurimin e delegacionit serb. Disa qindra protestues kanë vazhduar të qëndrojnë në Deçan deri në orët e mbrëmjes. Protestuesit kritikuan edhe pushtetin në Kosovë i cili ka dhënë pëlqimin për këtë vizitë, ndonëse me kushtin që ajo të mos shfrytëzohet për qëllime e deklarime politike.

Vëzhguesit e pavarur thonë se vizita e presidentit serb Boris Tadiç në Kosovë, me gjithë karakterin fetar, është në funksion të forcimit të pozitës së tij politike para zgjedhjeve të radhës në Serbi.

Autoritetet më të lartë të Kosovës përgëzuan sot besimtarët ortodoks me rastin e krishtlindjeve duke bërë thirrje për ruajtjen e paqes dhe tolerancës fetare e etnike në Kosovë.

Vizita e presidentit serb Boris Tadiç në Kosovë, ndodhë në një periudhë kur serbët në veriun e Kosovës kanë vendosur që të organizojnë një referendum me të cilin qytetarët serb në atë zonë do të deklarohen nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Kosovës. Kjo nismë sipas autoriteteve në Prishtinën nuk ka rrjedhoja pozitive për serbët në veri përveç vazhdimësisë së tensioneve.

Përfaqësuesit e serbëve në veri që po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët në atë zonë në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës, thanë se referendumi do të forconte edhe pozicionin e Serbisë në bisedimet me Kosovën ndërsa u shprehën të habitur me kundërshtimin e pushtetit në Serbi. Por, përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë thanë se referendumi është i panevojshëm dhe ai vetëm sa mund të thellojë ndarjet ndërmjet vet serbëve dhe vë në situatë jo të mirë serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër. Madje, përfaqësuesit e pushtetit serb thanë se referendumi është vendim politik i opozitës serbe e cila, siç thuhet, me hapa të tillë vetëm sa po synon ta bllokojë rrugën evropiane të Serbisë. Serbia dështoi të marrë muajin e kaluar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës.

XS
SM
MD
LG