Lidhje

Gadafit pritet t’i bëhet një varrim i fshehtë, udhëheqës botërorë komentojnë


Gadafit pritet t’i bëhet një varrim i fshehtë, udhëheqës botërorë komentojnë
Gadafit pritet t’i bëhet një varrim i fshehtë, udhëheqës botërorë komentojnë

Pritet që ish-udhëheqësit libian Moamar Gadafi t’i bëhet sot një varrim i fshehtë, një ditë pas vrasjes së tij kur luftëtarët e qeverisë së përkohshme sulmuan qytetin e tij Sirte. Sot, trupi i tij, me një plagë plumbi në anë të kokës, ishte vendosur në një treg të vjetër të Misratës. Një komandant vendës tha se trupi do të varrosej me dinjitet dhe sipas riteve myslimane. Ndërkohë, reagimet për vdekjen e Gadafit vazhdojnë.

Presidenti francez Nikola Sarkozi tha se tani, pas vdekjes së Gadafit, "ky kapitull duhet të mbyllet me mirëkuptim dhe me pajtim".

Nikola Sarkozi, President i Francës:

"Askush nuk duhet të gëzohet për vdekjen e një njeriu, pavarësisht se çfarë ka bërë ai. Por kërcënimi që përbënte Gadafi dhe grupi i mercenarëve që rrinin me të, ishin një kërcënim real për të ardhmen e Libisë. Prandaj, tani, ne mbyllim një kapitull për të ecur përpara drejt së ardhmes, por me falje dhe me pajtim."

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton e cila ndodhet për një vizitë në Pakistan, i bëri thirrje qeverisë së re libiane të lëvizë me shpejtësi drejt demokracisë.

Hillari Klinton, Sekretare e Shtetit:

"Vdekja e Kolonel Gadafit mbyll një kapitull mjaft të trishtuar në historinë e Libisë, por edhe shënon fillimin e një epoke të re për popullin libian. Shpresoj se ajo që unë pashë vetë në Tripoli të martën, zelli i libianëve për të filluar ndërtimin e një demokracie të re, tani mund të fillojë me të vërtetë. Dua të theksoj angazhimin e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e popullit të Libisë si një mik dhe partner, tani që ata hyjnë në këtë rrugë të re demokratike."

Ministria e Jashtme e Kinës, në komentet e saj la mënjanë çdo shenjë paanshmërie dhe bëri thirrje për fillimin e shpejtë të një "procesi gjithëpërfshirës politik" dhe për rindërtimin ekonomik në Libi.

Gjang Y, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze:

"Shpresojmë se Libia do të fillojë sa më shpejt një proces gjithpërfshirës politik, do të ruajë bashkimin kombëtar dhe integritetin e shtetit. Kina do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e popullit të Libisë për të rivendosur qendrueshmërinë dhe filluar rindërtimin."

XS
SM
MD
LG