Lidhje

Një shpikje synon të ulë varësinë tek bateritë kimike

  • Rosana Skirbel

Një shpikje synon të ulë varësinë tek bateritë kimike

Një shpikje synon të ulë varësinë tek bateritë kimike

Disa shkencëtarë të Universitetit të shtetit Viskonsin po punojnë për krijimin e një teknologjie që do të bëjë të mundur përdorimin e energjisë njerëzore në pajisjet e lëvizshme, si për shembull telefonat celularë, kompjuterat portativë dhe sistemet satelitore të identifikimit të pozicionit (GPS). Pajisja, e cila është përshkruar këtë javë në revistën Nature Communications, mund të vihet në përdorim edhe vetëm duke ecur.

Në Universitetin e Viskonsinit duan të ulin varësinë tonë ndaj baterive të kushtueshme të cilat ndotin dhe mjedisin, të paktën në rastin e pajisjeve të lëvizshme. Ata synojnë të përdorin energjinë njerëzore.

“E vërteta është se ne njerëzit jemi makina shumë të fuqishme.”

Prof. Krupenkin thotë se një vrapues mund të prodhojë energji deri në një kilovat.

“Pra nëse do të mund të merrej qoftë edhe një sasi e vogël e asaj energjie dhe të shndërrohej në energji elektrike, ajo do të ishte mëse e mjaftueshme për përdorimin e pajisjeve të lëvizshme, sepse gjëra si për shembull telefoni celular konsumojnë vetëm dy vatë energji.”

Zoti Krupenkin dhe kolegët eksperimentuan duke vendosur një pajisje në këpucë e cila grumbullon, ruan dhe shndëron lëvizjen e njeriut në elektricitet. Një nga elementët e kësaj pajisjeje është mbledhësi i energjisë i cili ka dy dhomëza të mbushura me mijëra bulëza të lëngshme të cilat vihen në lëvizje me ecjen e njeriut.

“Pra, praktikisht bëhet fjalë për rrjedhje të lëngut brenda disa tubave elastikë të pajisur me elektroda, të cilët janë të veshur me një lëndë të veçantë që ne kemi shpikur. Këto transformojnë rrjedhjen e lëngut në energji elektrike. Kjo energji elektrike depozitohet në një bateri të vogël e të thjeshtë që mund të rimbushet në mënyrë të përsëritur, e ngjashme me ato të telefonave celularë.”

Ky lloj telefoni celular që funksionon me energji njerëzore është pa tel. Ai komunikon me një transmetues celular gjithashtu të vendosur në këpucë, i cili për të punuar përdor një teknologji me energji të ulët pa tel të ngjashme me teknologjinë Bluetooth. Sinjali përcillet prej transmetuersit tek kullat me antenat e telefonave celularë. Një sistem i tillë pakëson në mënyrë të ndjeshme konsumin e energjisë prej pajisjes së lëvizshme, në rastin tonë telefonit celeular, duke i lejuar atij të punojë për një kohë më të gjatë.

Kjo do të thotë se telefoni celular do të përdorë shumë më pak energji për të kryer funksionin e tij, dhjetra herë më pak se zakonisht.”

Gjithë përbërësit e sistemit kanë pak a shumë përmasat e një karte krediti. Prof. Krupenkin thotë se përfitimi më i madh është fakti i të pasurit gjithmonë energji gati për t’u përdorur. Ndryshe nga bateritë e zakonshme, mbledhësi i energjisë nuk ka nevojë të rimbushet.

“Ne mendojmë se një mbledhës mesatar do të ketë një fuqi prodhuese prej dy vatësh. Kur njeriu fillon të ecë ky mbledhës do të fillojë të prodhojë menjëherë energji të mjaftueshme për përdorimin e telefonit celular.”

Shkencëtari Krupenkin nuk pret që kjo pajisje të zëvendësojë bateritë e zakonshme por ai pret që ajo të ulë varësinë tonë ndaj tyre.

“Është diçka që ndihmon të mos kemi më aq shumë nevojë për bateritë si dhe ndikon shumë në rritjen e besueshmërisë së sistemit të energjisë. Krijohet kështu një sistem që është gjithmonë i pranishëm dhe gati për t’u përdorur.”

Zoti Krupenkin thotë se kjo teknologji mund të përdoret për çdo lloj telefoni celular dhe kompjuteri portativ. Ai gjithashtu parashikon përdorimin e saj në vende ku rrjetet elektrike të nevojshme për rimbushjen e baterive janë të shtrenjta apo të padisponueshme, apo për lehtësimin e peshës që ushtarët janë të detyruar të mbartin për shkak të pajisjeve të tyre të rënda me bateri. Ai parashikon ta hedhë këtë prodhim në treg brenda dy vjetësh.

XS
SM
MD
LG