Lidhje

Raport i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në Shqipëri


Ekzistojnë probleme serioze me keqpërdorimin e shtypit për qëllime politike, që u thelluan gjatë dha pas fushatës elektorale.

Departamenti i Shtetit botoi sot raportin e përvitshëm për të gjendjen e të drejtave të njeriut në botë. Në kapitullin për Shqipërinë duke u ndalur tek zgjedhjet e vitit të kaluar, Departamenti i Shtetit i referohet raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili thekson se zgjedhjet shënuan përparim nga ato të kaluarat, por nuk përmbushën plotësisht standadartet ndërkombëtare. Në pjesën mbi zgjedhjet dhe të drejtat politike, aty ku analizohen zgjedhjet e qershorit, raporti i Departamentit të Shtetit, duke iu referuar analizës së zgjedhjeve që bënë vëzhguesit e OSBE-së, ve në dukje se numërimi i votave ishte i keq, ose shumë i keq, në 22 nga 66 qendrat e numërimit.

Megjithatë thuhet me tej, misioni i ODIHR-it nuk gjeti të dhëna për parregullsi gjatë numërimit, ose manipulim të rezultatit dhe po ashtu nuk gjeti parregullsi të mëdha në këto qendra. Opozita i kundërshtoi këto konkluzione në dukje kontradiktore të vlerësimit të ODIHR-it. Raporti thekson se procesi i apelimit pas-zgjedhor u zhvillua në mënyrë profesionale. Rezultatet përfundimtare të ndarjes së vendeve në parlament u pranuan me votë unanime nga të gjithë anëtarët e KQZ-së.

Megjithatë, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, mbulimi i zgjedhjeve nga shtypi ishte dukshëm në favor të dy partive kryesore politike PS dhe PD duke lënë mënjanë partitë e vogla. Po ashtu qeveria shfrytëzoi ngjarje zyrtare, përfshirë përurimin e projekteve publike për qëllime elektorale. Pati akuza të shumta, disa prej të cilave janë provuar, se ka patur trysni për të ndjekur mitingjet e PD-së dhe kërcënime për pushim nga puna në të kundërtën. Ndonëse më rrallë, thuhet në raport, edhe kryetari i Partisë Socialiste shfrytëzoi ngjarje zyrtare si kryetar bashkie për qëllime elektorale.

Problem tjetër ku kritikohet Shqipëria është korrupsioni qeveritar që vazhdon të mbetet një problem i pazgjidhur. Megjithë disa arrestime të nivelit të lartë, thuhet në raport, korrupsioni qeveritar vazhdoi të ishte pengesë e madhe për reformat. Korrupsioni në polici dhe klima e mosndëshkimit kanë vazhduar. Trysnia politike, kërcënimet, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara, disa herë nuk e lejuan sistemin e drejtësisë të funksionojë në mënyrë të pavarur.

Ndonse qeveria në përgjithësi i respekton të drejtat e shtypit, ka patur njoftime se qeveria dhe bizneset kanë ushtruar trysni të tërthortë ndaj mediave. Megjithëse shtypi nuk është i kufizuar ka probleme serioze me keqpërdorimin e shtypit për qëllime politike, që u thelluan gjatë dha pas fushatës elektorale. Në fushatë, shumica e mediave raportoi me njëanshmëri të hapur në favor të dy partive të mëdha dhe media publike shfaqi njëanshmëri të qartë ndaj PD-së në pushtet.

Radio Televizioni Publik mbeti nën kontrollin e fortë të qeverisë. Herë pas here presioni politik dhe mungesa e fondeve e kufizuan pavarësinë e shtypit të shkruar. Ka patur raste të presionit qeveritar direkt ose indirekt ndaj medias. Nga ana tjetër vetë gazetarët kanë bërë të ditur se kanë praktikuar gjerësisht vetë-censurën. Roli hetues i shtypit ka ardhur në rritje. Një emision mjaft i ndjekur satirik-investigativ “Fiks Fare” ka çuar në shkarkimin dhe ngritjen e akuzave kriminale ndaj zyrtarëve të korruptuar publikë.

Në raport përmendet edhe incidenti me gazetarin Mero Baze, kritik i ashpër i qeverisë, i cili u godit pranë një klubi nate në Tiranë, si dhe gazeta e tij Tema e cila më pas u mbyll. Politizimi i shtypit mbetet një problem i madh. Botuesit dhe pronarët e gazetave vazhdojnë të shfrytëzojnë lajmet për interesat e tyre ekonomike dhe politike.

Një problem shqetësues ka qënë dhuna ndaj grave si dhe dhuna bashkëshortore. Gjatë vitit 2009, u raportuan 1063 raste dhune familjare dhe qeveria ngriti akuza në 747 raste.

XS
SM
MD
LG