Lidhje

Ganiç lirohet me kusht nga një burg britanik

  • Zëri Amerikës

Ish udhëheqësi i myslimanëve të Bosnjës Ejup Ganiç, i kërkuar nga Serbia për krime lufte, u lirua me kusht nga një burg britanik.

Ganiç u lirua nga burgu i Wadsworthit dje në mbrëmje, pasi një ditë më parë një gjykatë e lartë britanike miratoi kërkesën e tij për lirim me kusht.

Ai duhet të qëndrojë në Londër dhe çdo ditë duhet të paraqitet në polici si dhe gjatë natës duhet të respektojë ndalim qarkullimin pas orës së caktuar nga autoritetet.

Ganiç, ish anëtar i presidencës së Bosnjës gjatë kohës së luftës, javën e kaluar u arrestua në aeroportin Heathrow të Londrës, pas një kërkese të autoriteteve serbe.

Ai akuzohet për pjesëmarrje në një pritë të organizuar kundër një autokolone ushtarake të ish Jugosllavisë në vitin 1992 ndërsa autokolona në fjalë po tërhiqej nga Sarajeva. Serbia pretendon se më shumë se 40 ushtarë u vranë në këtë pritë.

Avokatët e zotit Ganiç thonë se këto akuza bazohen në motive politike dhe janë të paligjshme. Zoti Ganiç do të dalë përsëri para gjykatës më 13 prill.

XS
SM
MD
LG