Lidhje

10 vjet pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, lufta në Afganistan vazhdon


10 vjet pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, lufta në Afganistan vazhdon
10 vjet pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, lufta në Afganistan vazhdon

Rezultatet u përmirësuan ndjeshëm në favor të aleatëve të NATO-s, pas vitit 2009, por pasiguria vazhdon

Më 7 tetor 2001, Shtetet e Bashkuara dhe forca të tjera të NATO-s sulmuan ektremistët e Al-Kaidës dhe aleatët e tyre talebanë në Afganistan, më pak se një muaj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ai operacion ushtarak rrëzoi talebanët nga pushteti. Por konflikti, që filloi aq premtues 10 vjet më parë, ende vazhdon dhe përbën luftën më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Pak vetë mendonin se qeveria talebane do të binte aq shpejt sa ra, 10 vjet më parë. Por, gjithashtu në mënyrë të paparashikuar, forcat e NATO-s janë ende duke luftuar talebanët dhe kryengritësit e Al-Kaidës 10 vjet më vonë. Ishte fundi i vitit 2001 kur forcat afgane, të ndihmuara nga një fushatë bombardimi të Shteteve të Bashkuara, dëbuan talebanët nga Kabuli. Në atë kohë, udhëheqësit talebanë dhe ata të Al-Kaidës u arratisën në malet Tora Bora dhe në Pakistan. Luftimet nuk kanë përfunduar qysh atëherë. Për arratisjen e forcave armike, kritikët fajësojnë numrin e pamjaftueshëm të trupave të aleancës në atë vend –kritikë kjo që edhe vetë NATO-ja e pranon.

“Kishte disa gabime që u bënë gjatë atyre viteve, sidomos para vitit 2009. Unë do të thoja se i pari gabim ishte nënvlerësimi i talebanëve, për shkak se ne u verbuam prej suksesit të vitin 2001 dhe 2002. Ne nuk dislokuam forca të mjaftueshme në vend”, thotë zëdhënësi i Forcave të Ndihmës së Sigurisë Ndërkombëtare (ISAF) të NATO-s në Afganistan, Karsten Jeikobson.

Me trupa aleate të pamjaftueshme për t’i ndalur, luftuesit talebanë filluan të rifitonin terren në Afganistan. Forcat e NATO-s nuk mund të bënin gjë tjetër veçse të prisnin. Për më tepër, në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara përqëndruan vëmendjen në një luftë tjetër, në Irak. Pas një suksesi në fillim, kjo luftë u përball gjithashtu me probleme, derisa Shtetet e Bashkuara përdorën taktika kundër-kryengritëse, dërguan më tepër trupa dhe filluan të stërvitnin focat lokale të sigurimit, përfshi ish-kryengritës. Këto masa u dukën të kishin sukses. Forcat e Ndihmës së Sigurisë Ndërkombëtare të NATO-s në Afganistan, ISAF, e vunë re një gjë të tillë. Sërish, zëdhënësi i ISAF Gjenerali Carsten Jacobson:

“Ne nxorrëm mësimet e duhura nga Iraku. Ishte e qartë, në fund të vitit 2008 dhe gjatë vitit 2009, diçka duhej bërë për të mundur kryengritjen dhe për të ndërtuar njëkohësisht forca të sigurisë.”

Gjithashtu, Presidenti Barack Obama riktheu vëmendjen tek Afganistani. Trupa të tjera mbërritën në vitin 2009. Edhe ndërtimi i forcave afgane të sigurisë u përshpejtua, duke iu bashkangjitur një programi agresiv që përdori avionë të telekomanduar për të luftuar vendet e strehimit të kryengritësve, në zonat pranë kufirit pakistanez. Në një vizitë në Afganistan përpara largimit nga posti i Kryetarit të Shtatëmadhorisë Amerikane, Admirali Mike Mullen tha:

“Armiqtë e Afganistanit dhe ata që nuk kërkojnë tjetër veçse të prishin aleancën tonë kanë pësuar humbje të rënda, vitin e fundit. Ata janë nxjerrë prej vendeve ku ishin fshehur. Atyre u është mohuar influenca mbi popullatën lokale. Ata janë ndjekur dhe shumë prej udhëheqësve të tyre janë vrarë ose kapur.”

Por gjatë të njëjtit fjalim, zoti Mullen tha se këto rezultate janë të brishta dhe mund të përmbysen. Kryengritësit janë duke u përqëndruar tani në sulme ndaj udheqësve të lartë, me vrasje apo me makina bombë. Por ka gjithashtu disa përpjekje për të arritur një marrëveshje të negociuar. Gjenerali Jacobson shpjegon:

“Nuk bëhet paqe me shokët, paqja bëhet me armikun. Duhet bërë paqe me ata që patën një arsye për të nisur kryengritjen, për të marrë armët dhe për të luftuar zhvillimin e Afganistanit.”

Disa vende të NATO-s që kanë trupa në Afganistan planifikojnë të tërhiqen nga operacionet luftarake deri në fund të vitit 2014. Deri atëherë luftimet vazhdojnë dhe Afganistani mbetet një vend në luftë.

VOA-TV VIDEO CUT SHEET

DATE: 10/04/2011 SHOW: DITARI

XS
SM
MD
LG