Lidhje

10 vjetori i marrëveshjes së Ohrit

  • Isak Ramadani
  • Ohër

10 vjetori i marrëveshjes së Ohrit

10 vjetori i marrëveshjes së Ohrit

Sot mbushen dhjetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur midis gueriljes shqiptare dhe forcave të armatosura qeveritare maqedonase, në shkëmbim të avancimit të të drejtave të shqiptarëve. Marrëveshja, nga ndërkombëtarët shikohet si model për zgjidhjen e krizave, ndërsa politikanë të vendit thonë se po bëhen devijime nga marrëveshja. Në Ohër po mbahet një konferencë për shënimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.

Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar sikur sot para dhjetë vjetësh, ishte një arritje kompromisi; maqedonasit mendonin se shqiptarëve po u jipeshin shumë të drejta që mund të rezultonin me kërkesa edhe më të skajshme, të rrezikshme për të ardhmen e vendit. Shqiptarët vlerësonin se avancimi i tillë nuk i kënaqte nevojat dhe synimet e tyre, sidomos në një kohë kur vendbanimet shqiptare ishin shënjestër e granatimeve, por dhe se pakoja e re nuk krahasohej as me të drejtat që shqiptarët i gëzonin me kushtetutën e vitit 1974.

Marrëveshja u arrit me ndihmën e organizatave dhe shteteve perëndimore; Ndërmjetësit James Pardew i SHBA dhe François Leotard i BE njiheshin si negociator; por këmbëngulja dhe kontributi i tyre kanë bërë që Maqedonia të jetë ky shtet që është sot.

Në takimin jubilar në Ohër, megjithatë nuk merr pjesë asnjë nga nënshkruesit e dokumentit. Ish-presidenti Boris Trajkovski dhe Imer Imeri i PPD nuk jetojnë më. Arbën Xhaferi vlerëson se marrëveshja është e vdekur; ndërsa ish-kryeministri i kohës Lubço Georgievski mendon se marrëveshja edhepse solli paqen, më mirë do të ishte ndarja e vendit. Branko Cërvenkovski nuk u paraqit pa ndonjë arësye të veçantë.

Por Marrëveshja nga ndërkombëtarët shikohet si një model për zgjidhjen e krizave.

Zëvendës-ndihmësi i ri i sekretares amerikane të Shtetit për çështjet euroaziatike, Filip Rikër i cili erdhi enkas për këtë ngjarje në Maqedoni, në vizitiën e tij të parë në këtë kapacitet, tha se Maqedonia, duke iu falënderuar marrëveshjes si dhe drejtimit të guximshëm të presidentit të ndjerë Boris Trajkovski, me krenari mund të quhet një shtet multikulturor dhe shumëetnik që ka një konsensus të gjerë të popullatës në mbështetje të integrimeve euroatlantike.

“Dhjetë vjet më parë, Maqedonia qëndronte në tehun e një lufte civile”, u shpreh zyrtari amerikan i cili vlerësohet si njohës i mirë i rrethanave të këtushme, duke qenë dhe ambasador në Maqedoni deri para pak javësh.

James Pardew, i cili vlerësohej në atë kohë si një diplomat i rreptë që detyroi palët ta nënshkruajnë marrëveshjen, tha në konferencë se marrëveshja e Ohrit ka qenë arritja më e madhe në karrierën e tij diplomatike.

Drejtuesit e Maqedonisë, tha ambasadori Pardju, nuk duhet të merren me ringjalljen dhe kontrollin e së kaluarës së lavdishme por si të sigurojnë një të ardhme të mirë për vendin dhe popullin e tij”.

Zoti Pardju shpreson se drejtuesit e tashëm do të mund të mbledhin guximin dhe përcaktimin e njejtë për të zgjidhur problemet ashtu siç vepruan drejtuesit e Maqedonisë të cilët ndesheshin me sfida edhe më të mëdha në vitin 2001.

Diplomati francez Alain Le Roi erdhi në Maqedoni menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit si përfaqësues i posaçëm i BE-së; ai ndihmoi për miratimin e ligjeve në Parlament që buronin nga Marrëveshja.

Zoti Le Roi përkujtoi angazhimin e madh, siç tha, të presidentit të ndjerë Boris Trajkovski për arritjen e paqes në vend.

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov tha se s’ka dyshim që marrëveshja ka sjellur shumë gjëra të mira siç është paqja, por duhet kujtuar dhe ato që janë humbur, tha ai, duke theksuar viktimat e konfliktit.

Ali Ahmeti, ish-komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Clirimtare Kombëtare nuk ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në bisedimet e Ohrit, ndërsa përfaqësuesit politikë shqiptarë nuk mund të vendosnin pa vullnetin e tij. Pala maqedonase madje kërkonte që pas arritjes së paqes ai të largohej nga Maqedonia, një ultimatum të cilin ky i fundit nuk e përfilli.

Pas konfliktit të vitit 2001 e transformoi përbërjen e gueriljes në parti politike dhe që nga viti 2002 i ka fituar të gjitha zgjedhjet tek elektorati shqiptar. Tash zoti Ahmeti dëshiron një zgjidhje të problemit të emrit të Maqedonisë:

Sipas marrëveshjes shtesë, të njohur si aneksi C, Marrëveshja e Ohrit duhej zbatuar në praktikë deri në vitin 2004. Por, edhe pas dhjetë vjetësh, ndonëse shumëçka është realizuar, mbetet ende punë për t’u bërë.

XS
SM
MD
LG