Lidhje

Mbi 100 ushtarë pakistanezë mbulohen nga orteku në Himalaje


Zyrtarë pakistanezë thanë se një ortek bore u përplas mbi një bazë ushtarake në akullnajën e Himalajeve pranë kufirit me Indinë, duke mbuluar më tepër se 100 ushtarë. Autoritetet thanë se orteku goditi bazën ushtarake sot në mëngjes në malet e rajonit akullnor Siachen, i njohur si fushë-beteja më e lartë në botë. Në atë rajon, si Pakistani , edhe India, kanë vendqëndrime ushtarake. Një zyrtar pakistanez tha se në bazën ushtarake ndodheshin 150 njerëz dhe se të paktën 117 prej tyre janë varrosur nën ortek.

Zyrtarët pakistanezë thanë se në zonën e thellë janë dërguar për të shpëtuar personelin ushtarak të bllokuar në dëborë helikopterë, qen shpëtimi dhe trupa ushtarake. Ushtria pakistaneze tha se fati i ushtarëve nuk është i qartë. Ekspertë ushtarakë thonë se klima jo e përshtatshme e Siachenit dhe terreni që shpesh shkakton ortekë ka marrë në vite më tepër jetë njerëzish se sa luftimet. Rajoni Siachen, është 6 mijë metra i lartë dhe ndodhet në Kashmirin verior. Temperaturat atje mund të shkojnë deri në minus 70 gradë Celsius.

XS
SM
MD
LG