Lidhje

150 vjetori i fillimit të Luftës Civile amerikane


150 vjetori i fillimit të Luftës Civile amerikane
150 vjetori i fillimit të Luftës Civile amerikane

Me 12 prill shënohet 150 vjetori i fillimit të Luftës Civile që pothuaj shkatërroi Shtetet e Bashkuara. Njëmbëdhjetë shtete të jugut u shkëputën nga bashkimi duke formuar Konfederatën e Shteteve të Amerikës dhe u zotuan të ruanin sistemin e tyre ekonomik të bazuar në bujqësinë dhe skllavërinë. Me 12 prill të vitit 1861, ushtarët e Konfederatës qëlluan mbi ushtarët e Bashkimit në Fort Summer të Karolinës së Jugut. Ky ishte veprimi i parë agresiv i hapur nga Jugu kundër Veriut. Katër vite më vonë, forcat e konfederatës u dorëzuan. Sot, kjo luftë mes shteteve është ende e freskët në mendjen e shumë amerikanëve dhe në disa mënyra, vendi është ende duke u shëruar nga ndarja që ndodhi në atë kohë.

Parku Kombëtar “Fushëbeteja” në Manasas të Virxhinias tërheq rreth 600 mijë vizitorë në vit, si 7-vjeçari Jackson Crowe, i cili ka lexuar për luftën civile.

“Më pëlqen të di më shumë rreth Luftës Civile prandaj erdha këtu”.

Parku është një vend i mirë për të mësuar më shumë mbi luftën civile, thotë drejtuesi i parkut Ed Clark.

“Në këtë fushë mund të shikosh ato që kanë parë ushtarët që kanë marrë pjesë në betejë. Qëndrimi këtu të jep një lidhje emocionale me fushëbetejën. Ky është një vend ku amerikanët kanë luftuar kundër njëri tjetrit dhe ku ata kanë vdekur”.

Më shumë se gjysmë milioni amerikanë u vranë gjatë luftës katër vjeçare. Në atë kohë kjo shifër përbënte 2 përqind të popullsisë së vendit, thotë Ray Brown, një prej punonjësve të parkut.

“Mund ta imagjinoni çfarë ndikimi ka patur kjo luftë në të gjitha komunitetet në gjithë vendin dhe arsyen se përse ky pasion ka vazhduar brez pas brezi, që ende kujtohet edhe sot pas 150 viteve”.

Sot në këtë fushëbetejë, nuk është më ai pasion, por ekziston një dëshirë për të krijuar lidhje me të kaluarën. Marianne Lee ka sjellë fëmijët e saj për t’i njohur me historinë:

“Ne u ndamë dhe arritëm të ribashkohemi. Dhe mendoj se kjo është diçka e rëndësishme për t’u kuptuar sot, pra që mund të ketë një rilindje pas një lufte të tillë”.

Historiani i universitetit Yale, David Blight është një nga ekspertët kryesorë të Luftës Civile:

“Një nga mënyrat për ta rindërtuar vendin pas një lufte të tmerrshme civile, është ndarja reciproke e sakrificave nga të dyja palët”.

Kjo është ajo që ndodhi në 50 vjetorin e Luftës Civile, kur 50 mijë veteranë të luftës, nga të dyja krahët, u mblodhën në Gettysburg, në vendin ku ka ndodhur beteja më e përgjakshme. Sipas historianit Blight kjo ngjarje ishte një festë.

“Ajo që kemi bërë në vendin tonë është shmangia e bisedave mbi shkakun e luftës ose rezultatin dhe trashëgiminë e saj, duke u përqëndruar kryesisht në nderimin e ushtarëve”.

Historiani Blight ka shkruar shumë mbi Luftën Civile.

“Tani tema e lirisë duhet të jetë në qendër të vëmendjes sepse kjo trasnformoi Shtetet e Bashkuara e jo betejat e luftës. Por transformimi i vërtetë i Shteteve të Bashkuara ishte një proces përmes të cilit 4 milionë skllevër u liruan duke bërë të nevojshme ndryshimin e kushtetutës”.

Por u desh Lëvizja e të Drejtave Civile, pas 100 vjetësh që të detyronte qeverinë të përmbushte premtimin për barazi, që ishte pjesë e kushtetutës pas luftës civile. Sot, me një president afrikano-amerikan në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara, kanë kaluar perms një rruge të gjatë, por debatet për trashëgiminë e luftës ende vazhdojnë.

“Sa herë që Amerikanët debatojnë mbi të drejtat e shteteve, mbi marrëdhëniet mes pushtetit federal dhe pushtetit të shteteve, për të cilën ka një debat të nxehtë, pra sa herë që debatojmë, jo vetëm për mardhëniet racore, por edhe mbi idenë e identitetit amerikan, mbi shumëllojshmërinë racore, mbi një shoqëri me diversitet të madh, ne debatojmë drejtpërdrejt mbi trashëgiminë e luftës civile”.

Këtu në Parkun Kombëtar “Fushëbeteja” në Manassas dhe në dhjetëra vende tjera historike në gjithë vendin, 150 vjetori i Luftës Civile do të trajtojë disa prej këtyre çështjeve.

“Sigurisht që ne kujtojmë dhe kuptojmë rolin e Luftës Civile në historinë amerikane, në lidhje me të drejtat civile dhe shkaqet e luftës. Mendoj se publiku amerikan është i gatshëm për këto biseda”.

Aktivitetet përkujtimore për luftën civile do të shtrihen në një hapësirë 4 vjeçare dhe mundësitë do të jenë të shumta për të diskutuar mbi trashëgiminë dhe mësimet e Luftës Civile.

XS
SM
MD
LG