Lidhje

20 vjetori i ribashkimit të Gjermanisë


20 vjetori i ribashkimit të Gjermanisë
20 vjetori i ribashkimit të Gjermanisë

Para 20 vjetësh, Gjermania u ribashkua zyrtarisht, duke i dhënë fund një ndarjeje prej më shumë se 4 dekadash. Ndarja mes lindjes dhe perëndimit pati pasoja në aspektin shoqëror, ekonomik dhe kulturor prandaj edhe Gjermania ka investuar miliarda dollarë për t’u ribashkuar. Jennifer Glasse e Zërit të Amerikës ishte në Berlin me rastin e festimeve të 20 vjetorit dhe përgatiti materialin në vazhdim.

Një pjesë e Murit të Berlinit, që dikur ndante këtë qytet, është ndër reliket e pakta që kanë mbetur nga kjo ndarje e së kaluarës. Pikëkalimi Çarli, që ndante lindjen nga perëndimi dhe ku tanket amerikane dhe ato ruse u konfrontuan në vitin 1961, është tani një pikë turistike.
Gjermanët festuan para portës Brandenburg gjatë gjithë fund javës përvjetorin e bashkimit të vendit.

Para më shumë se 20 vjetësh, Presidenti amerikan Ronald Reagan ndihmoi në fillimin e një sërë ngjarjesh që çuan në ribashkimin e Gjermanisë.

Dy vjet më vonë, muri u rrëzua, duke i hapur rrugën ribashkimit të Gjermanisë, që u bë realitet pas një viti.
Kur ra komunizmi, sistemi që kishte qeverisur Gjermaninë Lindore u zhduk pothuajse brenda natës. Ligjet, ekonomia dhe sistemi kapitalist i Gjermanisë Perëndimore hyri në fuqi në pjesën lindore të vendit. Angela Gehring ishte 10 vjeçe dhe jetonte në Berlinin lindor kur vendi u ribashkua.
"Ndryshimi mes lindjes dhe perëndimit vazhdon të jetë ana financiare dhe pjesërisht qëndrimi i vetë njerëzve. Kishte më shumë solidaritet mes njerëzve dhe kalonin më shumë kohë së bashku".

Në atë që dikur quhej "zona e vdekjes" tani është kompleksi më modern i Berlinit. Gjermania ka investuar miliarda dollarë për rindërtimin jo vetëm të Berlinit, por të gjithë infrastrukturës së ish Gjermanisë lindore. Suksesi ekonomik nuk ka prekur të gjithë gjermanët, thotë historiani Juliana Shutërli.
"Një prej anketave tregon se 45 për qind e gjermano-lindorëve mendojnë se nuk kanë përfituar nga ribashkimi. Pra mendoj se kjo do të thotë që mbi 50 për qind nuk janë aq të pakënaqur me këtë proces".

Presidenti gjerman Kristian Vulf pohon se ribashkimi ka qenë barrë për disa:
"Ishin gjermano-lindorët që mbajtën peshën më të madhe drejt ribashkimit të vendit tonë. Në një farë mënyre, atyre iu desh të rifillonin jetën nga e para. Atyre iu desh të riorganizonin jetën e tyre, të përfitonin nga mundësitë që u jepeshin dhe e bënë këtë me një gadishmëri të madhe për të pranuar ndryshimet. Deri më sot, përpjekjet e tyre nuk janë nderuar sa duhet".

Përveç festimeve në Berlin, qeveria zhvilloi një ceremoni zyrtare në qytetin verior Bremen. Çdo vit, festimet zyrtare zhvillohen në pjesë të ndryshme të Gjermanisë për të simbolizuar ribashkimin e vendit.

Ndoshta askush nuk është simbol më i madh i bashkimit dhe mundësive të tij se sa Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila u rrit në Gjermaninë Lindore.

Shumë gjermanë mendojnë se ribashkimi përfundoi para 4 vjetësh, kur vendi organizoi kampionatin botëror të futbollit. Ata thonë se në atë kohë ata u ndjenë me të vërtetë si një Gjermani e vetme.
Ende ekzistojnë ndarje ekonomike dhe shoqërore, por 20 vjet pas ribashkimit të vendit, shumë gjermanë nuk e shikojnë vendin e tyre si Lindja ose Perëndimi, por si një komb i vetëm që i mbijetoi një rezolucioni paqësor dhe ka rizënë vendin e vet si udhëheqës në Evropë.

XS
SM
MD
LG