Lidhje

Shkallëzohen tensionet lidhur me vendet e shenjta në Bregun Perëndimor


Shkallëzohen tensionet lidhur me vendet e shenjta në Bregun Perëndimor
Shkallëzohen tensionet lidhur me vendet e shenjta në Bregun Perëndimor

Qyteti Hebron i Bregut Perëndimor ka qënë për një kohë të gjatë vatër e nxehtë në konfliktin izraelito-palestinez. Ai është një vend i shenjtë si për myslimanët ashtu edhe për hebrejtë, madje të dy fetë kanë mbështetur tradicionalist idenë se Abrahami biblik është varrosur atje. Planet e Izraelit për ta përfshirë atë në listën e objekteve të trashëgimisë kombëtare ka nxitur përleshje dhe ka provokuar udhëheqjen palestineze të paralajmërojë një Intifadë të re ose thënë ndryshe një kryengritje të re popullore. Tensionet vazhdojnë dhe po bëhen pengesë për negociatat e reja të paqes.

Për myslimanët ky është vendi i xhamisë së Ibahimit, për hebrejtë Shpella e Patriarkëve. Për të dy palët, Hebroni është një nga vendet më të shenjta. Kohët e fundit, zëmërata popullore shpërtheu pasi Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e futi këtë objekt të qytetit dhe Varrin e Rashelit pranë Bethlehemit, të dy në Bregun e pushtuar Perëndimor, në listën e trashëgimisë kombëtare të Izraelit. Kështu, të dy këto vende do të marrin fonde nga shteti. Rabbi Daniel Hershkowitz është anëtar i kabinetit të zotit Netanyahu dhe ishte promotori i këtij vendimi.

"Ky nuk është një vendim politik dhe as një deklaratë politike. Vendimi ka të bëjë më tepër me një zë të buxhetit për ruajtjen e këtyre objekteve”.

Izraeli mori nën kontroll shpellën në Hebron dhe Varrin e Rashelit gjatë luftës arabo- izraelite të vitit 1967. Sot qindra kolonë izraelitë jetojnë në enklavën e Hebronit. Pa një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve, të dy vendet e shenjta janë burim konfliktesh.

Banorët palestinezë të Hebronit, si Hussam Abdeen, e shikojnë vendimin e fundit si një pretendim më shumë të Izraelit ndaj teritoreve të pushtura dhe si provokim.

"Ata duan që të gjitha territoret palestineze të jenë në konflikt dhe po përpiqen ta përgatisin tokën për një Intifadë të tretë”.

Në shenjë proteste, udhëheqësit palestinezë vendosën kohët e fundit që mbledhjet javore të kabinetit të mbahen në Hebron. Kryeministri palestinez, Salaam Fayyad, shpjegon vendimin e qeverisë së tij:

"Kjo është pëgjigja jonë ndaj masave izraelite që shkelin ligjet ndërkombëtare. Ne do të mbajmë qendrim të vendosur kundër tyre për të realizuar qëllimet tona”.

Bindjet që qendrojnë në themel të mosmarrëveshjes së fundit kanë rrënjë të thella. Kur tymi u davarit, nxënësit myslimanë nga mbarë Bregu Perëndimor shkuan për të vizituar vendin e tyre të shenjtë, duke riafirmuar rëndësinë e tij.

"Ky është vendi ku është varrosur profeti ynë Ibrahimi. Ky është një vend i shenjtë mysliman”.

Për hebrenjtë, ky është një vend po aq i shenjtë. Noam Arnon është zëdhënës i kolonëve izraelitë në Hebron.

"Të deklarosh se ky është zyrtarisht një vend i trashëgimisë kobëtare izraelite do të thotë se shteti hebre, shteti izraelit është shprehje e lidhjes historike të popullit hebre me këtë tokë”.

Që nga viti 1967, hebrenjë kanë kryer ritet e tyre fetare në një pjesë të xhamisë që është kthyer në Sinagogë. Shumë hebrej ankohen se forcat izraelite të sigurimit nuk u njohin atyre të drejta të barabarta në këtë vend të shenjtë.

"Çdo kush duhet të vijë këtu dhe të ketë të drejtë të vijë këtu dhe të hyjë brenda për t’u falur e lutur. Vini re. Kur unë të shkoj aty, policia do të më ndalojë. Ju mund ta shikoni”.

Ai thotë në Hebraisht: “A mund të hy brenda”?
Polici i bën me shenjë “Jo”

Hebroni ka qënë vend i shumë masakrave gjatë shekullit të kaluar. Më e fundit ndodhi në vitin 1994, kur Baruch Goldstein, një amerikano-izraelit hapi zjarr në xhami dhe vrau 29 myslimanë. Që prej atëhere, e gjithë kjo zonë e qytetit u braktis nga palestinezët. Pjesa më e madhe e Hebronit i përngjan tani një qyteti fantazmë që nuk i përket as palestinezëve dhe as izraelitëve.

XS
SM
MD
LG