Lidhje

Specialistët të shqetësuar për sigurinë në Internet

  • William Ide

Specialistët të shqetësuar për sigurinë në Internet

Specialistët të shqetësuar për sigurinë në Internet

Vitin e kaluar kompania Google bëri të njohur se ishte bërë objekt i një sulmi të sofistikuar në Internet dhe kjo shkaktoi shqetësime për rreziqet e sigurisë në internet. Në pjesën e parë të një seriali lidhur me këtë temë do t’ju njohim me mendimin e specialistëve lidhur me sigurinë në Internet dhe ç’mund të bëhet në këtë aspekt.

Gjithmonë e më tepër teknologjia moderne po bëhet pjesë e jetës së përditshme. Njerëzit në mbarë botën përdorin pajisjet më të fundit teknologjike dhe lidhjet e internetit për të komunikuar dhe për të bërë biznes. Por edhe me këtë lehtësi të madhe që sjell teknologjia ka disa rreziqe, të ashtuquajtura sulme në internet, të cilat kanë si objektiv sekretet kombëtare dhe zhvillimet teknologjike. Por objektivi i tyre tani po ndryshon. Drejtori i FBI-së Robert Mueller thotë se sulmet në internet po e zgjerojnë përherë e më tepër objektivin.

"Ndërsa ekonomia globale integrohet, shumë sulme në internet tani po fokusohen tek ekonomia dhe kompanitë private, siç kemi parë me sulmet e kohëve të fundit ndaj kompanisë Google. Sektori privat tani rrezikohet nga sulmet në internet po aq sa ai shtetëror dhe dëmi mund të jetë po aq i madh".

Firma e kërkimeve në Internet Google e zbuloi këtë në dhjetor, kur zyrtarët e saj thanë se kishin zbuluar një sulm tepër të sofistikuar që vinte nga Kina. Google thotë se ndërhyrja në hapësirë kishte si objektiv pronësinë intelektuale të kompanisë dhe se me rreziqe të kësaj natyre u ndeshën edhe 20 kompani të tjera, si Yahoo, Dow Chemical dhe kompania kontraktore e mbrojtjes Northtrop Grumman. Larry Clinton kryeson një organizatë që merret me sigurinë në Internet. Ai thotë se bizneset në internet përballen me kërcënime të mëdha.

"Në botën e interentit, të gjithë stimujt janë në favor të sulmuesve. Sulmet në internet janë aktualisht të pakushtueshme, janë të lehta për t’u kryer dhe mund të dëmtojnë shumë. Ndërkohë, shanset për t’u kapur janë shumë të vogla".

Zoti Clinton thotë se në kushtet kur ka një numër të pakufizuar objektivash për t’u sulmuar dhe mbrojtja në internet ka mbetur prapa disa dekada, ato mund të shkaktojnë humbje të jashtëzakonshme ekonomike.

"Gjendja është tepër serioze. Vitin e kaluar, biznesi amerikan humbi ndoshta një trilion dollarë për shkak të grabitjeve në internet".

Randy Vickers është drejtor në detyrë i Ekipit të Gatishmërisë së Emergjencave në Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Ai thotë se një nga sfidat më të mëdha është se akoma nuk mund të gjendet se nga e ka origjinën sulmi në internet. Ai thotë se synimi i sulmuesve është e vetmja gjurmë që mund të kërkohet.

"Ne përpiqemi të gjejmë personat që mendohet se kryejnë sulme në internet, por kjo është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, për të gjetur në se autori i sulmit është një pirat kompjuteri, a kemi të bëjmë me një shtet terrorist, apo thjesht me një individ të veçantë".

Presidenti Barak Obama e ka bërë sigurinë në internet përparësi të administrates së tij dhe i radhit kërcënimet e sulmeve në hapësirë krahas me ato bërthamore, ose armë të tjera të shkatërrimit në masë. Vitin e kaluar ai emëroi një post të ri, që mbikqyr rrjetet kompjuterike të vendit, që nga sistemet që drejtojnë avionët, tek ata me të cilët amerikanët pagojnë faturat në internet. Larry Clinton thotë se kyçi i krijimit të më tepër sigurie në internet janë stimujt.

"Të gjithë do të përfitojnë në se e rrisim sigurinë në internet, sepse edhe në se unë psh bëj gjithshka për të siguruar sistemin tim, në se ai ka lidhje me sistemin e dikujt tjetër, sulmuesit do të arrijnë edhe tek unë".

Zoti Clinton thotë se një mënyrë për të shtuar sigurinë në internet, është përmes inkurajimit të kompanive më të vogla, që të bëjnë më tepër për t’u mbrojtur nga sulmet, duke përdorur stimuj nga taksat, kontratat qeveritare dhe ndihmën për biznesin e vogël.

XS
SM
MD
LG