Lidhje

Greqia mund të mos jetë në gjendje të paguajë borxhin pa ndihmë nga Bashkimi Evropian

  • Zëri Amerikës

Qeveria greke duhet të marrë borxh 53 miliardë euro në tregjet financiare këtë vit dhe duhet të rifinancojë një borxh prej rreth 20 miliardë eurosh në muajt prill dhe maj

Kryeministri i Greqisë paralajmëroi se vendi i tij mund të mos jetë në gjendje të paguajë borxhin, nëse nuk merr ndihmë nga Bashkimi Evropian. Kryeministri Jorgo Papandreu u kërkoi ligjvënësve evropianë mbështetje për të vazhduar masat e forta që ka vënë në zbatim qeveria për të nxjerrë vendin nga kriza.

Kryeministri grek Jorgo Papandreu doli sot para Parlamentit Evropian me barrën e një borxhi masiv mbi supe, të cilin vendi i tij duhet ta shlyejë sa më parë. Qeveria greke duhet të marrë borxh 53 miliardë euro në tregjet financiare këtë vit dhe duhet të rifinancojë një borxh prej rreth 20 miliardë eurosh në muajt prill dhe maj, që aktualisht janë me norma interesi të papërballueshme, sipas shumë analistëve.

Zoti Papandreu foli sot për rrezikun që i kanoset vendit nëse nuk arrin të marrë kredi me interesa të përballueshme. Normat aktuale të interesit në tregun botëror do ta linin Greqinë të pambrojtur përballë spekulantëve financiarë, paralajmëroi zoti Papandreu:

“I morëm këto masa, por nëse vazhdojmë të marrim kredi me këto norma të larta interesi, rrezikojmë suksesin e synuar me masat për uljen e deficitit. U kemi kërkuar punonjësve dhe zyrtarëve të sektorit shtetëror, të pranojnë reduktime në mënyrë që të ulet deficiti, por këto hapa përpara mund të fshihen vetëm pas pak sekonda spekulimesh në tregun botëror”.

Kryeministri grek nënvizoi se vendet që janë në vështirësi financiare kanë nevojë për një mekanizëm që t’u vijë në ndihmë. Ai tha se Greqia kishte kërkuar ndihmë financiare, por preferon që ndihma të vijë nga Bashkimi Evropian dhe jo nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Greqia, tha ai, po zbaton aktualisht reformat strukturale që kërkon FMN-ja, pa shfrytëzuar fondet e ndihmës së këtij organizmi:

“Duam të theksojmë me këtë rast se duam të shmangim një skenar kur nga njëra anë jemi nën presionin e standarteve të FMN-së dhe nga ana tjetër nuk gëzojmë anjë nga avantazhet e eurozonës. Shpresojmë që Evropa do të hidhet në veprim dhe të na ofrojë atë që mund të ofrojë Fondi Monetar Ndërkombëtar, ose përndryshe do të detyrohemi t’i drejtohemi FMN-së për ndihmë. Shpresojmë që kjo të mos jetë e nevojshme”.

Masat e reja që ka marrë Greqia synojnë të ulin deficitin nga 12.7 për qind në 8.7 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto këtë vit.

Ministrat evropianë të financave shprehën këtë javë mbështetje për planet e vendeve të eurozonës për të ndihmuar Greqinë, nëse ajo kërkon ndihmë. Megjithatë nuk ka pasur diskutim konkret të formës që mund të marrë kjo ndihmë. Ministrat shpresojnë se përkrahja e tyre politike dhe masat e forta që ka marrë Greqia do të mjaftojnë për të kapërcyer krizën pa pasur nevojë për paketa financiare ndihme.

Javën e ardhshme Bashkimi Evropian zhvillon një takim të nivelit të lartë në Bruksel. Sot kryeministri grek Papandreu u bëri thirrje ministrave evropianë të financave që takimi i ardhshëm t’i ofrojë Greqisë një mbështetje të hapur për kapërcimin e borxhit në mënyrë që të mos jetë e nevojshme që Athina të kërkojnë ndihmë jashtë kufijve të BE-së.

XS
SM
MD
LG